Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) është autoriteti shtetëror i ngarkuar me funksionet e inspektimit në fushën e punës, që përfshijnë marrëdhëniet e punës, sigurisë dhe shëndetit në punë dhe shërbimeve shoqërore.
Misioni i ISHPSHSH është të garantojë vende pune të denja, të sigurta dhe të shëndetshme nëpërmjet një sistemi inspektimi profesional dhe të përgjegjshëm, si dhe të promovojë një kulturë në zbatim të legjislacionit të punës.
Kontrolli i zbatimit të Legjislacionit të Punës kryhet përmes inspektimit të personat fizikë dhe juridikë, vendas ose të huaj, privatë ose publikë, që ushtrojnë veprimtari ekonomike fitimprurëse apo jofitimprurëse në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Përjashtohen nga fusha e inspektimit të punës:
a) institucionet apo veprimtaritë, ku hyrja e inspektorit të punës vë në rrezik interesin e sigurisë kombëtare;
b) të gjitha vendet e punës, ku inspektimi për marrëdhëniet e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë janë të rregulluara me ligje të veçanta.
Sistemi i inspektimit në punë ka patur një progres të qendrueshëm në vitet e fundit, në saj të rritjes së kapaciteteve njerëzore dhe ato institucionale, rritjes së cilesise se inspektimit nëpërmjet zhvillimit të sistemeve digjitale për menaxhimin e inspektimeve mbështtetur në metodologji, procedura dhe funksione të qarta.