Çfarë janë shërbimet shoqërore?

Çfarë janë shërbimet shoqërore?

Shërbimet Shoqërore në Shqipëri e kanë zanafillën në vitin 1993, me miratim e Ligjit Nr.7710, datë 18.05.1993. Në këtë kohë u njoh dhe u bë detyrim ligjor e drejta e individit për mbrojtja sociale.

Ndër vite mbrojtja sociale është ofruar nëpërmjet dy formave:

  • mbështetja financiare mujore për individë dhe familje në vështirësi ekonomike,
  • kujdes social, shërbime të specializuara, mbështetje.

Nëse keni nevojë të tregoni problemin tuaj, apo të kërkoni të merrni një ndihmë për veten tuaj, familjen apo edhe të tregoni se një fëmijë, një individ e keni parë në një situatë të vështirë, ju mund të kontaktoni me punonjësin social të bashkisë në lagjen apo fshatin tuaj.

Sot e drejta e mbrojtjes sociale, përfituesit, tipologjitë, rregullat dhe përgjegjësitë e shtetit dhe të shoqatave që ofrojnë shërbime janë përcaktuar me Ligjin Nr.121/2016 datë 24.11.2016 “Për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror në Republikën e Shqipërisë”.

Ky ligj, shërbimet e kujdesit shoqëror i përkufizon si:

një sistem i integruar dhe i organizuar përfitimesh dhe lehtësish, të cilat ofrohen nga profesionistë të fushave përkatëse me qëllim sigurimin e mirëqenies, pavarësisë dhe përfshirjes shoqërore të individëve, të familjeve apo komuniteteve, që kanë nevojë për kujdes shoqëror.