Një ndër objektivat kryesore të ISHPSHSH-se është të minimizojë humbjen e shëndetit dhe të jetës njerëzore për shkak të aksidenteve në punë, sëmundjeve profesionale dhe dëmtimeve të tjera të shëndetit si pasojë e punës.
Legjislacioni mbi të cilin funksionon ISHPSHSH dhe baza ligjore në veçanti për aksidentet në punë janë:
-
- Ligji Nr. 10433 datë 16.06.2011 “Për inspektimin në RSH”
- Ligji Nr. 7961, datë 12.07.1995” Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
- Ligji Nr. 9634, datë 30.10.2006 “Për Inspektimin e Punës dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës”, i ndryshuar.
- Ligji i Nr. 10237, datë 18.02.2010 “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”.
- Ligji “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
- VKM. Nr. 788, datë 14.12.2005 “Për përcaktimin e aksidentit në punë “.
- VKM. Nr. 461, datë 22.7.1998 ” Për Regjistrin që mban punëdhënësi për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale”.
Aksident në punë ose për shkak të punës – është çdo ngjarje e papritur, që shkakton dëmtimin e menjëhershëm trupor, që ndodh gjatë kryerjes së punës apo të një shërbimi lidhur me të, si dhe çdo dëmtim tjetër i shëndetit, që nuk rrjedh nga sëmundje e përgjithshme, por që sjell paaftësi të përkohshme ose të përhershme në punë ose vdekje.
Aksidenti vlerësohet se ka ndodhur në punë ose për shkak të punës, kur punëmarrësi dëmtohet gjatë:
-
- kryerjes së punës, sipas përshkrimit të saj;
- kryerjes së një pune tjetër, pa urdhër të punëdhënësit, por për arsye madhore, në interes të punës;
- kryerjes së një pune tjetër me porosi të punëdhënësit;
- kohës së pushimit në vendin e përcaktuar nga punëdhënësi, ose për vënien në rregull të makinerive, veglave të punës, veshmbathjeve, para ose pas mbarimit të punës;
- rrugës në linjën e drejtpërdrejtë, nga banesa për në punë dhe anasjelltas, në rastet kur transporti është i organizuar nga punëdhënësi apo individualisht nga punëmarrësi;
- kryerjes së kurseve të formimit profesional;
- dhënies së ndihmës së parë, për motive të kryerjes së detyrës, në rastet e fatkeqësive natyrore.
Aksidentet në punë, bazuar në pasojat dhe numrin e personave të dëmtuar, klasifikohen si më poshtë:
-
- aksidente që shkaktojnë paaftësi të përkohshme në punë për më shumë se 3 ditë kalendarike;
- aksidente që shkaktojnë invaliditet të përkohshëm ose të përhershëm;
- aksidente me vdekje;
- aksidente masive, ku të paktën dy apo më shumë persona dëmtohen në të njëjtën kohë dhe për shkak të së njëjtës arsye.