Cilat janë llojet e shërbimeve të kujdesit shoqëror për të cilat mund të keni nevojë?

Shërbime rezidenciale

Shërbime të kujdesit rezidencial janë shërbime të kujdesit njëzetekatërorësh dhe afatgjatë për individë në nevojë (fëmijë ose të rritur), të ofruara në qendrat rezidenciale, publike dhe jopublike.

Në një qendër rezidenciale nuk mund të ofrohet shërbim për dy grupe në nevojë. Në rastin e shërbimit për fëmijët, ato janë të ndara edhe me grupmoshë, (0-6 vjeç, 6 – 15 vjeç dhe 15 – 18 vjeç). Gjithashtu, ndarje moshore ka edhe për shërbimet rezidenciale për PAK, ( deri në 25 vjeç dhe mbi 25 vjeç)

Shërbime komunitare

Shërbime komunitare janë shërbime që ofrohen në qendra komunitare lokale ose në mjedise të tjera, si shërbimet e kujdesit ditor apo të zëvendësimit të përkohshëm të kujdestarit, për të gjitha kategoritë e përfituesve të shërbimeve të kujdesit shoqëror.

Në një qendër shërbimesh komunitare, ditore mund të trajtohen me shërbim më shumë se një grup përfituesish, psh. fëmijë të një grupimi etnokulturor, fëmijë AK, dhe të moshuar etj. Këto qendra shërbimesh quhen ndryshe edhe qendra multidisiplinare, dhe, përgjithsisht, janë qendra të administruara nga njësitë e pushtetit vendor.

Shërbime parashoqërore

Shërbime parashoqërore janë shërbime që përfshijnë informimin e përfituesve të shërbimeve të kujdesit shoqëror nga ofruesit e shërbimeve, ndihmën për përfituesit në përcaktimin e nevojave të tyre, vlerësimin fillestar, mbështetjen dhe ndihmën për zgjedhjen që u përshtatet nevojave të përfituesit në sistemin e shërbimeve shoqërore.

Shërbimet e përkujdesjes alternative për fëmijët pa kujdes prindëror

Për fëmijët të cilët në mënyrë të përkohshme por edhe të përhershme nuk mund të kenë një mjedis familjar ose kur nuk është në interesin më të lartë të tij të qëndrojë në këtë mjedis i sigurohet një përkujdesje alternative si vendosja në një familje alternative ose në një institucion të përkujdesjes për fëmijë; në një familje birësuese apo kujdestare.

Shërbime në familje

Shërbime në familje janë shërbime të kujdesit shoqëror që ofrohen në familje për kategoritë në nevojë, që e kanë të pamundur të marrin shërbime komunitare, ditore dhe rezidenciale.

Shërbime të specializuara

Shërbime të specializuara janë shërbimet e ofruara nga profesionistë të profilizuar në specialitete të ndryshme. Këto shërbime ofrohen në nivel qarku/rajonal dhe bashkie për fëmijët me çrregulime pervazive të zhvillimit, prapambetje mendore, çrregullime në komunikim, në nevojë për aftësim fizik, fëmijët e abuzuar seksualisht, fëmijët në konflikt me ligjin, si dhe gratë e vajzat e abuzuara, të dhunuara apo të trafikuara, si dhe të gjitha kategoritë që kanë nevojë për shërbime të tilla.

Shërbimi i këshillimit me telefon ose on-line

Shërbimi i këshillimit me telefon ose on-line është shërbimi i ofruar nëpërmjet linjës telefonike 24 orë në 7 ditë të javës, për mbështetjen, këshillimin në krizë dhe referimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjes së fëmijëve, sipas protokollove të hartuara dhe të miratuara.