Proçedura e ankimit ndaj vendimit përfundimtar të inspektimit.

Ligji nr. 10433, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikon në nenin
51 të tij të drejtën e ankimit ndaj vendimit përfundimtar të inspektimit, sipas së cilit: “Ankimi
administrativ kundër vendimeve përfundimtare në fushën e inspektimit paraqitet dhe shqyrtohet
sipas dispozitave të Kodit të Proçedurës Administrative”.
Ligjit 44/2015 “Kodi i Proçedurës Administrative i Republikës së Shqipërisë” në Pjesën e
Gjashtë, Kreun II të tij parashikon proçedurën e ankimit administrativ të aktit administrativ.
Afati i paraqitjes së ankimit
Lidhur me afatin e paraqitjes së ankimit, neni 132 pika 1 i Kodit të Proçedurës Administrative
parashikon se: “Ankimi administrativ ndaj aktit administrativ duhet të paraqitet brenda 30
ditëve nga data kur ankuesi ka marrë njoftim për nxjerrjen ose refuzimin e nxjerrjes së aktit
administrativ”
Elementët që duhet të përmbajë ankimi administrativ
Neni 131 i Kodit tregon elementët që duhet të përmbajë ankimi administrativ, si më poshtë vijon:
“a) subjektin që ushtron ankimin administrativ;
b) organin që shqyrton ankimin administrativ;
c) aktin administrativ, i cili kundërshtohet ose aktin administrativ të kërkuar, i cili nuk është
nxjerrë;
ç) objektin dhe shkaqet për të cilat bëhet ankimi.
Pavarësisht parashikimeve të pikës 1, të këtij neni, çdo kërkesë drejtuar organit publik
vlerësohet si ankim administrativ ndaj aktit edhe nëse nuk është emërtuar shprehimisht si i tillë.
Në këtë rast, qëllimi për t’u ankuar ndaj një akti administrativ, apo për të kërkuar nxjerrjen e një
akti, duhet të jetë mjaftueshëm i qartë”.

Organi të cilit i drejtohet ankimi administrativ
Neni 134 i Kodit të Proçedurës Administrative përcakton organin publik të cilit i dërgohet
ankimi administrativ, sipas së cilit:
“1. Përveçse kur nuk parashikohet ndryshe nga ligji, ankimi ndaj një akti administrativ mund t’i
drejtohet organit publik që:
a) ka nxjerrë ose ka kompetencë të nxjerrë aktin;
b) organit publik epror të organit të parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni; ose
c) një organi tjetër publik të përcaktuar shprehimisht me ligj.
2. Nëse ankimi i është drejtuar njërit prej organeve të parashikuara në shkronjat “b” dhe “c”, të
pikës 1, të këtij neni, ato ia përcjellin pa vonesë organit kompetent”

Inspektorati Shtetërorë i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, nivel qëndror, në përputhje me aktet
ligjore dhe nënligjore në fuqi, më konkretisht Ligjit 8480/1999 për “Funksionimin e organeve
kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike” dhe pikës 6, gërma ç dhe pikës 11,
kreu III të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.295, datë 20.03.2013, “Për krijimin,
organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore” ka
ngritur organin kolegjial, Komisionin e Ankimit të ISHPSHSH-së, i cili merret me shqyrtimin e
ankimeve administrative të ushtruara kundër vendimit përfundimtar të inspektimit.
Proçedura dhe marrja e vendimit nga Komisioni i Ankimit të ISHPSHSH-së
Proçedura e ndjekur nga Komisioni i Ankimit zhvillohet sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e
Proçedurës Administrative nenet 136-140. Komisioni pas zhvillimit të seancës dëgjimore në
prani edhe të ankuesit, merr në shqyrtim të gjithë dokumentacionin e mbajtur gjatë proçesit të
inspektimit si dhe dokumentacionin që i vendoset në dispozicion nga ankimuesi dhe brënda 30
ditëve nga paraqitja e ankimit, del me vendim, si një akt i ri administrativ, i cili mund të anulojë,
shfuqizojë, ndryshojë aktin e ankimuar (vendimin përfundimtar të inspektimit) plotësisht apo
pjeswrisht ose mund të vendosë refuzimin e ankimit duke lënë fuqi vendimin përfundimtar të
inspektimit.