Prezantimi i “matricës së dënimeve” si një Platformë Transparence e Vendimarrjes

Më datë 14 Janar 2019, pranë ambjenteve të Kryeministrisë, me vëmendjen e veçantë të Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Znj. Sonila Qato, në prani të përfaqësuesve të sipërmarrjes, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, prezanton një platformë transparence.

Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore në kuadër të angazhimit mbi gjetjen e mekanizmave për vendosjen e standarteve në punë, për rritje të transparences në marrëdhëniet me biznesin, duke i shërbyer gjithmonë  motos “më pak abuzim me ligjin”, ka projektuar një shërbim online, mundësi testimi për çdo subjekt, në lidhje me zbatimin e Legjislacionit të Punës, duke krijuar mundësinë e vetëkorrigjimit.

Kryeinspektori, Z. Arben Seferaj, në prani të sipërmarrjes, prezantoi këtë platformë, si risi e cila ka kërkuar orë pune e përkushtimi, për gjetjen  e një metodologjie të aplikueshme me mundësi:

  • Testimi i çdo punëdhënësi, në lidhje me zbatimin e legjislacionit të punës, duke krijuar mundësinë e vetëkorrigjimit.
  • Rritje e inteligjencën profesionale të inspektorëve të punës, transparencë në vendimarrjen e tij, minimizim i abuzimit me detyrën.
  • Trajtim i barabartë, për mos respektimin e të njëtës dispozitë ligjore, në kushte të barabarta.

Përgatitja e një matrice të detajuar, theksoi Z. Seferaj, me të gjitha funksionet inspektuese e vendimarrëse, inventarizimi i plotë i kuadrit ligjor-rregullativ të inspektimit të punës dhe bërja e aksesueshme e saj, për të gjitha grupet e interesit (biznese, shoqata, inspektorë), do të përmirësojë efikasitetin e inspektimeve si dhe forcimin e rolit rregullator të tyre.

Përdorimi i saj, lehtësisht i aksesueshëm në faqen zyrtare tonën, synon rritjen e vazhdueshme të asistencës ligjore falas dhe në distancë për subjektet e inspektimit, duke u pasuar në të ardhmen, me përgatitje manualesh të thjeshta me rubrika të veçanta, sipas tipologjive të inspektimit dhe karakteristikave të bizneseve.

Ky sistem përmban tashmë historikun e inspektimeve të kryera ndër vite në subjektet, që janë inspektuar nga ISHPSHSH-ja, dhe mundëson panoramë të qartë të dispozitave ligjore të shkelura. Përmes këtij historiku jemi në gjendje të kuptojmë nivelin e zbatimin të ligjit që rregullon fushën e punës, duke nxjerrë raporte të qarta se cilat janë dispozitat ligjore që shkelen më së shumti dhe cilat janë ato të cilat pavarësisht se nuk reflektohen në punën e inspektorëve kërkojnë vëmëndje më të shtuar për përmirësim të orientimit dhe praktikës inspektuese.

Gjatë takimit sipermarrja shprehu interes të veçantë për këtë transparencë si një mekanizëm kyç, e që realisht i shërben përmirësimit të punës dhe vendosjes së standarteve nga secili. Nga ana e përfaqësuesve të dhomave të tregëtisë, u propozua dhe mundësia e trajnimit të biznesit mbi përdorimin e kësaj platforme, nga Inspektorati i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.