Save the Children dhe Inspektorati Shtetëror i Punës forcojnë bashkëpunimin për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve shfrytëzimi në punë dhe çdo formë tjetër e cenimit të të drejtave të tyre
Tiranë, 26.06.2025
Save the Children in Albania dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore nënshkruan sot një Memorandum Bashkëpunimi, duke formalizuar angazhimin e përbashkët për forcimin e mbrojtjes së fëmijëve nga puna e rrezikshme, shfrytëzimi ekonomik dhe çdo formë tjetër e cenimit të të drejtave të tyre.
Memorandumi krijon një kornizë bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve për të forcuar parandalimin, identifikimin dhe adresimin e rasteve të punës së fëmijëve, përmes ndërgjegjësimit publik, rritjes së kapaciteteve profesionale, shkëmbimit të ekspertizës dhe koordinimit institucional.
Në kuadër të këtij partneriteti, Save the Children dhe Inspektorati Shtetëror i Punës do të zhvillojnë fushata të përbashkëta ndërgjegjësuese, aktivitete informuese mbi punësimin e sigurt të të rinjve, trajnime për inspektorët e punës mbi identifikimin dhe referimin e rasteve të dyshuara të punës së fëmijëve, si dhe iniciativa që promovojnë respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në tregun e punës.
Gjithashtu, bashkëpunimi synon të forcojë mekanizmat e referimit dhe koordinimit me institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve, duke garantuar që çdo rast i identifikuar të trajtohet në kohë dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare.
Drejtoresha Ekzekutive e Save the Children in Albania, Anila Meco, u shpreh se mbrojtja e fëmijëve nga puna dhe shfrytëzimi është një përgjegjësi e përbashkët që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional.
“Çdo fëmijë meriton një fëmijëri të sigurt, mundësi për të mësuar dhe për t’u zhvilluar pa u detyruar të punojë në kushte që rrezikojnë mirëqenien apo të ardhmen e tij. Ky memorandum është më shumë sesa një marrëveshje bashkëpunimi; ai përfaqëson një angazhim të përbashkët për të forcuar sistemet mbrojtëse, për të parandaluar punën e fëmijëve dhe për të siguruar që çdo rast i identifikuar të marrë përgjigjen e duhur. Vetëm përmes bashkëpunimit të institucioneve, komuniteteve dhe partnerëve mund të garantojmë që të drejtat e çdo fëmije të respektohen dhe mbrohen.”
Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Eljo Muçaj, theksoi rëndësinë e forcimit të rolit të institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe promovimin e punës së denjë.
“Parandalimi dhe identifikimi i punës së fëmijëve dhe të rinjve është një prioritet për Inspektoratin e Punës. Ky bashkëpunim me Save the Children na mundëson të ndërthurim ekspertizën, të rrisim kapacitetet e inspektorëve dhe të ndërtojmë mekanizma më efektivë për identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në rrezik. Synimi ynë është që çdo fëmijë të jetë i mbrojtur dhe çdo i ri të informohet për të drejtat e tij në botën e punës.”
Nënshkrimi i këtij memorandumi vjen në një periudhë kur nevoja për ndërgjegjësim dhe bashkëpunim ndërinstitucional është veçanërisht e rëndësishme, sidomos gjatë sezonit veror, kur rritet ekspozimi i fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj punës sezonale dhe formave të tjera të punës që mund të cenojnë zhvillimin, arsimin dhe mirëqenien e tyre.
Përmes këtij partneriteti, Save the Children dhe Inspektorati Shtetëror i Punës riafirmojnë angazhimin e tyre për të ndërtuar një mjedis më të sigurt për çdo fëmijë në Shqipëri, duke promovuar të drejtat e tyre dhe duke kontribuar në forcimin e sistemit kombëtar të mbrojtjes së fëmijëve.




