Shërbime të kujdesit shoqëror është një sistem i integruar dhe i organizuar përfitimesh dhe lehtësish, me qëllim sigurimin e mirëqenies, pavarësisë dhe përfshirjes shoqërore të individëve, familjeve e të komuniteteve, që kanë nevojë për kujdes shoqëror.
Shërbimet e kujdesit shoqëror ofrohen nga profesionistë të fushave përkatëse të subjekteve publike ose jopublike.
Shërbimet e kujdesit shoqëror ofrohen në qendra rezidenciale, në qendra ditore, në familje, në komunitet. Tipologjitë e shërbimeve të përkujdesit shoqëror janë përkufizuar në Ligjin Nr.121/2016 datë 24.11.2016 “Për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror në Republikën e Shqipërisë.
Përfituesit e këtyre shërbimeve janë individët familjet dhe grupet në nevojë, të cilët nuk janë në gjendje të përballojnë nevojat e tyre jetësore, për ruajtjen, zhvillimin dhe rehabilitimin e mundësive individuale apo të grupit, për të kapërcyer nevojat emergjente apo kronike.
- fëmijët,
- personat me aftësi të kufizuara,
- të rriturit me probleme sociale,
- fëmijë e të rritur viktima të dhunës në familje,
- fëmijë e të rritur viktima të trafikimit,
- individë në varësi të provuar ndaj drogës e alkoolit,
- vajzat shtatzëna, apo prindi i vetëm i një fëmije deri në moshën njëvjeçare,
- të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin,
- të moshuarit në nevojë,
- familje dhe individë në situatë emergjence.
Sistemi i kujdesit shoqëror funksionon i bazuar në tre elementë, të cilët janë:
Standardet
Standardet janë një tërësi kriteresh e treguesish, që kërkohet të arrihet nga të gjitha llojet e shërbimeve shoqërore, për të siguruar plotësimin e nevojave të ndryshuara të përfituesve të tyre dhe të komunitetit, të cilit i shërbejnë. Gjithashtu, standartet janë mjeti për të vlerësuar cilësinë e shërbimit.
Liçensimi
Personat jurikë, privatë e publikë, që ofrojnë shërbime të përkujdesit shoqëror, pajisen me liçensë të veçantë nga Ministria përgjegjëse e fushës së Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror, që është Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, MSHMS.
Inspektimi
Respektimi i kërkesave ligjore në fushën e shërbimeve të kujdesit shoqëror është misioni dhe fusha e përgjegjësisë së Drejtorisë së Inspektimit të Standarteve të Shërbimeve Shoqëro. Kjo është fusha e përkujdesit shoqëror, e cila rregullohet me Ligjin Nr.121/2016 datë 24.11.2016 “Për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror në Republikën e Shqipërisë”.