Punëmarrës nën 18 vjeç

Rregullimet e veçanta ligjore të punësimit të tyre sa i takon marredhënies së punës, kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë të kësaj kategorie.

MBROJTJA E VEÇANTË PËR TË MITURIT MOSHA MINIMALE

  1. Ndalohet marrja në punë e të miturve nën moshën 16 vjeç. Bëjnë përjashtim rastet kur të miturit nga mosha 14 deri në 16 vjeç punësohen gjatë pushimeve shkollore vetëm në punë të lehta, që nuk dëmtojnë shëndetin dhe formimin e tyre.
  2. Të miturit nga mosha 14 vjeç deri në moshën 16 vjeç mund të jenë subjekt i këshillimit dhe i formimit profesional, sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

PUNËT E LEHTA

  1. Të miturit nga mosha 16 deri në 18 vjeç mund të punësohen në punë të lehta, që nuk dëmtojnë shëndetin dhe formimin e tyre.
  2. Këshilli i Ministrave përcakton punët e lehta dhe vendos rregulla të veçanta për kohëzgjatjen maksimale dhe kushtet e kryerjes së punës.

PUNËT E VËSHTIRA OSE TË RREZIKSHME

Vetëm personat madhorë, mbi 18 vjeç, mund të punësohen në punë të vështira ose që paraqesin rrezik për shëndetin ose personalitetin e tyre. Punët e vështira ose të rrezikshme dhe rregullat e veçanta për kohëzgjatjen dhe kushtet e kryerjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

PUNA E NATËS

Ndalohet të punojnë në punën e natës punëmarrësit nën moshën 18 vjeç dhe ata të deklaruar invalidë mbi bazën e raportit mjekësor sipas ligjit për sigurimet shoqërore.

KONTROLLI MJEKËSOR

  1. Të miturit nën moshën 18 vjeç duhet të punësohen vetëm kur njihen si të aftë për punë pas kontrollit mjekësor të plotë.
  2. Këshilli i Ministrave për punë të caktuara vendos që kontrollit mjekësor t’i nënshtrohen edhe madhorët deri në 21 vjeç.
  3. Këshilli i Ministrave vendos rregulla të veçanta për procedurat e kontrollit mjekësor.
  4. Punëdhënësi është detyruar të përballojë shpenzimet për vizitat mjekësore të punëmarrësit.