Në vijim të zhvillimeve në tregun e punës dhe rritjes së formave të punës në distancë, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH), në funksionin e tij këshillues dhe mbikëqyrës, paraqet më poshtë një informacion mbi zbatimin e nenit 15 të Kodit të Punës, që rregullon punën në shtëpi dhe telepunën.
Këto forma të reja të organizimit të punës përfshijnë:
- Puna në shtëpi: punëmarrësi kryen punën nga shtëpia ose nga një vend tjetër i rënë dakord me punëdhënësin, në kushte të përcaktuara në kontratë.
- Telepuna: punëmarrësi gjithashtu punon jashtë ambienteve të punëdhënësit, por duke përdorur teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, me fleksibilitet në përcaktimin e kohës së punës (nga vetë punëmarrësi), gjithmonë në përputhje me marrëveshjen kontraktuale.
Pika 3 e nenit 15 të Kodit të Punë sanksionon se dispozitat e Kodit të Punës zbatohen edhe për kontratat e punës në shtëpi dhe për telepunën, me përjashtim të:
a) dispozitave që lidhen me:
- kohën javore të punës dhe pushimeve,
- orët jashtë orarit,
- punën në ditë festash,
- dhe punën e natës;
b) dispozitave që rregullojnë të drejtën për kompensim për vështirësi pune.
Ligjvënësi ka bërë një përjashtim të pjesshëm nga disa dispozita që në kushte normale do të aplikoheshin për punën klasike me prezencë fizike në vendin e punës. Këto përjashtime synojnë të reflektojnë realitetin fleksibël të punës në distancë, ku shpesh është vetë punëmarrësi që menaxhon kohën dhe vendin e punës.
Për orët jashtë orarit, punën natën apo në ditë pushimi, kur kemi të bëjmë me telepunë ose punë nga shtëpia të organizuar në mënyrë autonome nga punëmarrësi, nuk lind automatikisht e drejta për kompensim, përveç nëse është rënë dakord ndryshe në kontratë.
Kompensimi për vështirësi pune (p.sh. në kushte të rënda fizike, mjedisore) nuk zbatohet automatikisht për punën në distancë, pasi kjo lloj pune në vetvete nuk konsiderohet si “e vështirë” sipas përkufizimeve tradicionale të legjislacionit të punës.
Megjithatë, sipas pikës 4 të këtij neni, punëmarrësit në distancë nuk mund të trajtohen në mënyrë më të pafavorshme dhe çdo masë që ndikon në të drejtat e tyre duhet të mbështetet në barazi me punëmarrës të tjerë që kryejnë të njëjtën ose punë të ngjashme në ambientet e punëdhënësit. Kjo sjell nevojën që kontrata e punës duhet të jetë e qartë dhe e hollësishme, për të shmangur abuzimet dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave themelore të punëmarrësit.
📌 Parime kryesore që duhen ndjekur:
- Nëse orari i punës menaxhohet në mënyrë të pavarur nga punëmarrësi, nuk lind detyrimi për kompensim për orët jashtë orarit ose punën e natës.
- Nëse orari caktohet nga punëdhënësi, zbatohen të gjitha detyrimet e Kodit të Punës, përfshirë kompensimin për orë shtesë, punën e natën apo gjatë festive zyrtare.
- Kompensimi për vështirësi pune zbatohet vetëm kur përmbushen kushtet e përcaktuara nga legjislacioni përkatës, ose kur është parashikuar në kontratë.
📌 Skenarë praktikë për përjashtimet e nenit 15, pika 3 të Kodit të Punës
- Përjashtimi nga orët jashtë orarit, puna e natës apo në ditë pushimi:
🟢 Kur përjashtimi zbatohet (nuk ka kompensim):
- Kur punëmarrësi menaxhon vetë kohën e punës pa orar të fiksuar.
- Kur punëmarrësi zgjedh vetë të punojë natën, në fundjavë apo ditë pushimi.
- Kur puna organizohet në mënyrë autonome nga punëmarrësi dhe nuk mund të përcaktohet objektivisht orari.
🔴 Kur përjashtimi nuk zbatohet (ka kompensim):
- Kur punëdhënësi cakton orar të fiksuar dhe kërkon që punëmarrësi të jetë i disponueshëm.
- Kur kërkohen orë shtesë me udhëzim të punëdhënësit.
- Përjashtimi nga kompensimi për vështirësi pune:
🟢 Kur zbatohet përjashtimi:
- Kur puna në distancë kryhet në kushte normale pa ekspozim ndaj rreziqeve.
- Kur ambienti i punës është komod dhe nuk i plotëson kriteret e përcaktuara për vështirësi pune.
🔴 Kur nuk zbatohet përjashtimi:
- Kur punëmarrësi, ndonëse në distancë, punon në kushte të rënda apo të rrezikshme.
- Kur ligji ose marrëveshja kontraktuale parashikon të drejtën për kompensim.
⚖️ Parime të rëndësishme:
- Përjashtimet nuk janë absolute dhe varen nga marrëveshja, organizimi real i punës dhe natyra e saj.
- Nëse punëdhënësi ka kontroll mbi orarin, duhet të zbatojë të gjitha detyrimet ligjore për pushimet dhe kompensimin.
- Kontrata duhet të jetë e qartë, transparente dhe e dokumentuar në mënyrë të plotë.