Me ftesë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Kryeinspektori z. Eljo Mucaj mori pjesë në Forumin e 2-të Ndërkombëtar Teknik të Zyrtarëve të Lartë të Inspektorateve të Punës, i cili po zhvillohet më 24-25 Shtator 2024 në Trondheim, Norvegji.
Ky forum i cili organizohet në bashkëpunim nga ILO dhe Ministria e Punës dhe Përfshirjes Sociale të Norvegjisë është në përputhje me objektivat e ILO-së, të cilat synojnë forcimin e kapacitetit institucional të Inspektorateve të Punës.
📌 Fokus në sigurimin e zbatimit të Udhëzimeve mbi Parimet e Përgjithshme të Inspektimit të Punës, së bashku me parime dhe standarde të tjera të ILO-së që lidhen me qeverisjen e inspektimit të punës.
Drejtuesit e Inspektorateve të Punës nga e gjithë bota dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të partnerëve socialë, si Organizata Ndërkombëtare e Punëdhënësve (IOE) dhe Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave (ITUC) do të diskutojnë çështjet e politikave që lidhen me forcimin e rolit të inspektimit të punës.
✅ Synimi i ndarjes së përvojave dhe praktikave të mira për ta forcuar këtë rol dhe rritjen e përputhshmërisë në vendin e punës duke promovuar vende pune të sigurta dhe produktive.
🗣 Në forum do të diskutohen sfidat e shumta që i paraqiten inspektimit të punës për të përballuar transformimet e reja duke përfshirë ndryshimet teknologjike dhe të tregut të punës, të cilat kërkojnë një qasje të re dhe të përshtatur për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe sigurinë në vendin e punës.