Inspektorati i Punës, në bashkëpunim me SOCIEUX+ – Ekspertiza e Bashkimit Evropian për Mbrojtjen Sociale, Punën dhe Punësimin, financuar nga Bashkimi Evropian, po përmbyll programin 9-mujor të bashkëpunimit:
“Forcimi i Inspektoratit të Punës në Shqipëri për një zbatim efektiv, në përputhje me standardet e BE-së ndaj çështjeve gjinore, të sigurisë dhe shëndetit në punë.”
Në fazën përmbyllëse të programit po zhvillohet një trajnim 5-ditor për trajnues, me pjesëmarrjen e inspektorëve me përvojë, përgjegjësve të inspektimit dhe drejtuesve rajonalë.
Trajnimi synon jo vetëm forcimin e ekspertizës teknike të pjesëmarrësve, por edhe krijimin e një kapaciteti të qëndrueshëm të brendshëm trajnues në Inspektoratin e Punës, duke mundësuar që njohuritë, metodologjitë dhe instrumentet praktike të përçohen më tej tek inspektorët në të gjithë strukturën e institucionit.
Gjatë pesë moduleve intensive, pjesëmarrësit po punojnë mbi disa nga prioritetet kryesore të një inspektimi modern të punës:
1. Dixhitalizimi dhe planifikimi i inspektimeve bazuar në risk;
2. Manulalet e harmonizuara dhe Procedurat operacionale për llojet e ndryshme të inspektimeve;
3. Grupet vulnerabël, risqet me dimension gjinor, dhuna, ngacmimi dhe risqet psikosociale në punë;
4. hetimi i aksidenteve në punë, me fokus të veçantë në sektorët me risk të lartë;
5. komunikimi efektiv dhe aftësitë për trajnimin e kolegëve.
Përmes ushtrimeve praktike dhe analizimit të rasteve komplekse të sigurisë dhe shëndetit në punë, pjesëmarrësit po forcojnë aftësitë për të analizuar risqet dhe shkaqet rrënjësore të tyre, për të zbatuar në mënyrë të unifikuar procedurat e inspektimit, për të identifikuar ekspozimin ndaj riskut sipas dimensionit gjinor dhe vulnerabilitetit, si dhe për të zhvilluar intervista të përshtatshme dhe konfidenciale me punëmarrësit.
Ky aktivitet përfaqëson një etapë të rëndësishme përmbyllëse të nëntë muajve bashkëpunim me BE nëpërmjet SOCIEUX+ gjatë të cilëve janë zhvilluar ekspertizë, metodologji, procedura dhe instrumente operacionale në mbështetje të forcimit institucional dhe profesionalizimit të mëtejshëm të Inspektoratit të Punës.
Objektivi ynë mbetet i qartë: një Inspektorat Pune modern, profesional dhe i orientuar nga risku, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, për të garantuar vende pune më të sigurta, më të shëndetshme dhe më gjithëpërfshirëse për çdo punëmarrës.
#InspektoratiShtetëroriPunës
#MEI #BE #SOCIEUX+





















