Inspektorati Shtetëror i Punës pati nderin të marrë pjesë si i ftuar special nga ELA në Workshop-in Periodik Tematik: Bashkëpunimi Ndërinstitucional për të Luftuar Punën e Padeklaruar brenda Shteteve Anëtare të BE, i mbajtur më 12-13 Mars 2025 në Romë. Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Punës dhe Politikave Sociale e Italisë dhe mblodhi 25 përfaqësues nga shtetet anëtare të BE-së, të cilët ndanë zhvillimet, përvojat dhe praktikat më të mira për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të luftës kundër informalitetit.
Në sesionin “Bashkëpunimi Ndërinstitucional për Mbledhjen, Shkëmbimin dhe Analizën e të Dhënave”, Kryeinspektor Eljo Mucaj, prezantoi historinë e suksesit të MIRA – Matrica e Inteligjencës dhe Analizës së Riskut. Ky sistem inovativ ka transformuar procesin e inspektimit në Shqipëri, duke rritur efikasitetin, transparencën dhe duke përmirësuar identifikimin dhe adresimin e punës së padeklaruar.
MIRA u vlerësua gjerësisht për inovacionin dhe efektivitetin e saj, duke u njohur si një model i suksesshëm në luftën kundër punës së padeklaruar dhe duke u promovuar si një praktikë e mirë për shtetet e tjera të rajonit, përfshirë vendet anëtare të BE-së.
Ne mbetemi të përkushtuar për të forcuar bashkëpunimin, ndarjen e njohurive dhe avancimin e transformimit dixhital në inspektimin e punës!