PARIMET E FUNKSIONIMIT TË SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHOQËROR
Shërbimet shoqërore administrohen në bazë të parimeve universale në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe, në mënyrë të veçantë, në bazë të këtyre parimeve themelore:
- Parimi i universalitetit,
- Parimi i drejtësisë sociale,
- Parimi i subsidiaritetit,
- Parimi i mbështetjes shoqërore,
- Parimi i deinstitucionalizimit,
- Parimi i partneritetit,
- Parimi i respektimit të të drejtave të njeriut dhe integritetit të përfituesit,
- Parimi i mosdiskriminimit,
- Parimi i konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Aktorë dhe Role
“Njësi të qeverisjes vendore” janë bashkitë dhe qarqet, sipas përcaktimit në legjislacionin në fuqi për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.
“Punonjës social i njësisë së qeverisjes vendore” është profesionisti, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, në njësitë e vlerësimit të nevojave dhe referimit të rasteve, që do të jetë përgjegjës për identifikimin e nevojave, referimin, menaxhimin dhe ndjekjen në vazhdim të rasteve.
“Subjekt jopublik, ofrues i shërbimeve shoqërore” është çdo ofrues jopublik i licencuar për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, nga autoriteti përgjegjës, sipas legjislacionit në fuqi për licencimin.
“Punonjës i shërbimeve sociale” është i punësuari në shërbim të kategorive përfituese të shërbimeve të kujdesit shoqëror, si pjesë e sistemit publik dhe jopublik të ofrimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror.
“Tarifat e shërbimeve të kujdesit shoqëror” janë tarifat që vendosen me vendim të Këshillit bashkiak, në përputhje me kriteret e miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas llojit të shërbimit dhe mënyrës së përcaktimit të tyre.
Ministria përgjegjëse për çështjet sociale organizon dhe administron sistemin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, në përputhje me kërkesat dhe standardet e ofrimit të tyre.
Drejtoria e Inspektimit të Standarteve të Shërbimeve Shoqërore ka përgjegjësi të kontrollojë dhe të verifikojë respektimin e kërkesave ligjore në fushën e shërbimeve të kujdesit shoqëror.