PËRFITUESIT E SHËRBIMEVE 

“Përfitues i shërbimeve të kujdesit shoqëror” është subjekti, individi ose familja që përmbush  kushtet për të përfituar të drejtat nga shërbimi shoqëror.

Fëmijë” është çdo individ deri në moshën 18 vjeç.

Fëmijë në nevojë për mbrojtje të veçantë” është individi deri në moshën 18 vjeç, i cili mund të jetë viktimë e abuzimit, neglizhencës, shfrytëzimit, trafikimit, diskriminimit, dhunës, braktisjes apo i një veprimtarie kriminale, si dhe individi nën 18 vjeç, i cili ka kryer ose akuzohet se ka kryer një vepër penale.

Person me aftësi të kufizuar” është individi, fëmijë ose i rritur, me dëmtime fizike, mendore,

intelektuale apo shqisore afatgjata, të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e tij të plotë dhe efektive në shoqëri, njëlloj si pjesa tjetër e shoqërisë.

Viktima të dhunës” janë të gjithë individët, grupet e individëve apo familjet, të cilat janë viktima dhe/ose viktima të mundshme të dhunës, përfshirë dhunën në familje ose abuzimet, sipas legjislacionit në fuqi.

Viktimë e trafikimit” është personi fizik, që është objekt i trafikimit të qenieve njerëzore, sipas përkufizimit të shkronjës “e”, të nenit 4, të ligjit nr. 9642, datë 20.11.2006, “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore”.

Situatë emergjence” është një situatë kritike, e përkohshme ose jo, e shkaktuar nga faktorë

shoqërorë, që sjellin apo mund të sjellin dëme të menjëhershme, të rënda ose që dëmtojnë seriozisht jetën, shëndetin apo mirëqenien e individit, në rast se nuk merren masa urgjente dhe ndaluese.

Kujdestar” është individi që ofron shërbime kujdestarie për të miturit, sipas përcaktimeve në Kodin e Familjes.

Familje kujdestare” është një familje alternative, e vendosur nga gjykata për t’i ofruar fëmijës një mjedis familjar, kushte për mirërritje, përkujdesje fizike dhe mbështetje emocionale, sipas përcaktimeve të Kodit të Familjes.

Ndihmës personal” është individi i zgjedhur dhe i udhëzuar nga një person me aftësi të kufizuara për ta ndihmuar këtë të fundit, të kapërcejë pengesat në jetën e përditshme, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara.

Diskriminimi” është çdo dallim, përjashtim, kufizim apo preferencë, bazuar në gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicione gjenetike, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë, ose në çdo shkak tjetër, që ka si qëllim apo pasojë pengesën ose bërjen e pamundur të ushtrimit në të njëjtën mënyrë me të tjerët, të të drejtave e lirive themelore të njohura me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe me ligjet në fuqi.

Person i vetëm” është individi, i cili nuk ka një familje ose që jeton i vetëm.

Kategoritë që nuk përfitojnë shërbime të kujdesit shoqëror

  • shtetasit shqiptarë që banojnë jashtë vendit,
  • azilkërkuesit, të cilët nuk kanë marrë statusin e azilit,
  • shtetasit shqiptarë, shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe luftërave;
  • personat që vuajnë dënim me heqje lirie, me vendim të formës së prerë të gjykatës.