LIÇENSIMI
Keni interes, doni të krijoni dhe të ofroni shërbime të kujdesit shoqëror?
Së pari, duhet të dimë se çfarë janë shërbime të kujdesit shoqëror. Shërbime të kujdesit shoqëror është një tërësi aktivitetesh mbështetje, kujdesi, ndihme, lehtësimi, me qëllim sigurimin e mirëqenies, pavarësisë dhe përfshirjes shoqërore të individëve e të familjeve që kanë nevojë. Shërbimet e kujdesit shoqëror ofrohen nga profesionistë të fushave përkatëse.
Së dyti, duhet të dini se shërbimet shoqërore në Shqipëri funksionojnë në bazë të Ligjit 121/2016 datë 24.11.2016 “Për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror në Republikën e Shqipërisë”.
Së treti, duhet të dini se përfitesit e shërbimit kanë të drejta, respektohen, mbrohen dhe u sigurohet cilësia e shërbimit. Për këtë, shërbimet që ju do të ofroni, duhet të respektojnë Standartet e Shërbimeve Shoqërore. Gjithashtu, aktiviteti juaj në fushën e shërbimeve të kujdesit shoqërorë do të inspektohet për cilësinë e shërbimit dukë u bazuar në plotësimin e standarteve të shërbimeve shoqërore.
Së katërti, duhet të dini se është detyrim ligjor që ju të liçensoheni për të ofruar shërbim të kujdesit shoqëror. Në fushën e shërbimeve të kujdesit shoqëror lëshohen dy liçensa, një për shërbime të kujdesit rezidencial dhe një për shërbime të kujdesit komunitar/ditor.
Si të pajiseni me një liçensë për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror?
Hapi i pare: Rregjistrimi Individi apo grupi i individëve që kanë qëllime, interes për të ofruar shërbime duhet të rregjistrohet në gjykatë.
Hapi i dytë : Hartimi i paketës së shërbimit Fondacioni, shoqata apo individi përgatit Projektin e shërbimit, ku përshkruar me detaje shërbimet që do të ofrojë.
Hapi i tretë: Përgatitja e dosjes së dokumenteve për liçensim.
Çfarë përmban dosja?
- kërkesë,
- vendimin e regjistrimit në gjykatë, si person juridik,
- aktin e themelimit dhe statutin;
- përshkrimin e shërbimit me dhëna të hollësishme;
- burimin e financimit dhe kohëzgjatjen e tij;
- vërtetimin nga organet e tatim-taksave dhe nga bashkia që ska detyrime të pa shlyera;
- vërtetime nga organet gjyqësore, ku të vërtetohet se drejtuesi apo anëtarët e stafit nuk janë në ndjekje penale apo proçes gjyqësor;
- vërtetim nga organet gjyqësore, ku vërtetohet se subjekti nuk është në proçes falimentimi;
- lejeqëndrimin për stafin e huaj, nëse ka;
- CV-të e punonjësve, që do të ofrojnë shërbimet;
- dokumentet mbi pronësinë e qendrës ku do ofrohet shërbimi, (pronësinë apo kontratë qeraje, huapërdorimi);
- planimetrine e mjediseve dhe lejen higjieno-sanitare, përveç rasteve kur shërbim do të kryhet në familje;
- referencë nga pushteti vendor për veprimtarinë e mëparshme të subjektit, dhe nevojën e komunitetit për shërbimin.
Hapi i katërt: Aplikimi
Aplikimi bëhët në sportelet e QKB, në faqen zyrtare të së cilës mund të shkarkoni edhe fomatin e aplikimit, (www.qkr.gov.al). Në rast se keni përzgjedhur të ofroni shërbime të kujdesit rezidencial, aplikimi shoqërohet edhe me një kërkesë drejtuar MSHMS, (ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale).
Hapi i pestë: Aprovimi
- Në rast se keni aplikuar për liçensë për shërbime të kujdesit komunitar/ditor, ju do të merrni përgjigje dhe do të pajiseni me çertifikatën përkatëse drejtëpërdrejt nga QKB.
- Në rast se keni aplikuar për liçensë për shërbime të kujdesit rezidencial, aprovimi apo refuzimi i liçensës do të marrë në konsideratë konstatimet e inspektimit vlerësues, që do t’i qendrës rezidenciale.
Çfarë duhet të dimë lidhur me Komisionin e aprovimit dhe proçedurat e tij?
Përbërja e komisionit, proçedurat e funksionimit të tij janë përcaktuar në Udhëzim Nr.2, datë 10.03.2014 “Për Proçedurat e shqyrtimit të kërkesave për liçencim, të subjekteve që kryejnë veprimtari të përkujdesit shoqëror”, MMSR.
Komisioni i shqyrtimit të kërkesave për liçencim, kryesohet nga Ministri përgjegjës i fushës së përkujdesit shoqëror, dhe përbëhet nga 4 anëtarë, nivel drejtori, nga të cilët 3 nga drejtoritë përkatëse në Ministri dhe anëtari i katërt nga të cilët janë përfaqësues nga Drejtoria e Inspektoratit të Standarteve të Shërbimeve Shoqërore.
Çfarë duhet të dimë lidhur me Inspektimi vlerësues?
Në rastin e liçensimit për shërbime të kujdesit rezidencial, Drejtoria e Inspektimit të Standarteve të Shërbimeve Shoqërore, pranë ISHPSHSH-së, brenda 10 ditëve nga marrja e dokumentacionit të aplikantit, kryen inspektim në vend.
Inspektimi bëhet për vlerësimin e standarteve të shërbimit, referuar standarteve të përgjithshme, (VKM Nr.658, datë 17.10.2005), dhe standarteve përkatëse sipas grupin në nevojë.
Shëmbull: nëse shërbimi do të jetë qendër e përkujdesit rezidencial për fëmijë, vlerësimit do t’i bazohet tek “Standarteve të Shërbimeve të Përkujdesit Shoqëror, për Fëmijët në Institucionet Rezidenciale”, (VKM Nr.659, datë 17.10.2005); ose nëse shërbimi do të jetë qendër e kujdesit rezidencial për të moshuar, atëherë vlerësimi do të bazohet tek “Standartet e Shërbimeve të përkujdesit shoqëror, për të moshuar në qendrat rezidenciale”, (VKM Nr.821, datë 06.12.2006 ).
Brenda 5 (pesë) ditëve, Drejtoria e Inspektimit të Standarteve të Shërbimeve Shoqërore i dorëzon Komisionit përkatës, pranë ministrisë, Raportin e Vlerësimit.
Në rast se gjatë inspektimit vihen re shkelje, Drejtoria e Inspektimit të Standarteve të Shërbimeve Shoqërore i kërkon subjektit plotësimin e mangësive të konstatuara, brenda 2 ditëve.
Çfarë mangësi mund të konstatojë inspektimi?
- pasaktësi të dokumentacionit, mospërputhje me deklarimet e bëra;
- mjedis të pasigurt apo jo të shëndetshëm;
- mosplotësimin treguesve të cilësisë së standardeve përkatëse;
Nëse këto mangësi nuk plotësohen brenda afatit, Drejtoria e Inspektimit të Standarteve të Shërbimeve Shoqërore, i propozon Komisionit të Shqyrtimit të Kërkesave për Liçencim pranë MSHMS të mos miratojë kërkesën e subjektit për t’u pajisur me liçencë.
Ankimimi i vendimarrjes së Komisionit të Shqyrtimit të Kërkesave për Liçencim.
Aplikuesi, të cilit i është refuzuar liçensa, Brenda 10 (dhjetë) ditëve nga njoftimi i refuzimit, bën ankimim në Ministri. Brenda 10 (dhjetë) ditëve nga protokollimi i ankesës Ministri i MSHMS-së shqyrton dhe merr një vendim.
Aplikuesi i drejtohet gjykatës, për ankimim, brenda 30 ditëve nga afati që duhet të ishte shqyrtuar ankesa e tij nga Ministri përkatës.
Detyrime financiare
Për pajisjen me liçencë për veprimtari të përkujdesit shoqëror, përveç tarifës së aplikimit të QKB-së, prej 100 Lekë, subjekti, të cilit i është aprovuar liçensa, detyrohet të paguajë tarifën prej 10.000 lekë pranë MSHMS, shumë e cila derdhet në llogarinë bankare të këtij institucioni.
SANKSIONET
Referuar Nenit 49 të Ligjit 121/2016 “Për shërbimet e Kujdesit Shoqëror në Republikën e Shqipërisë” Drejtoria e Inspektimit të Standarteve të Shërbimeve Shoqërore, propozon njërën nga masat e mëposhtme:
- Pezullimin e veprimtarisë së subjektit deri në plotësimin e standarteve përkatëse;
- Revokimin e liçencës për ushtrimin e veprimtarise;
- Në rast të shkeljeve të rënda ose në rast përsëritjeje vendosjen ndaj subjekteve ofruese të shërbimeve të kujdesit shoqëror propozohet gjoba nga 50 mijë lekë deri në 100 mijë lekë dhe pezullimin e liçencës.
- Për shkeljet nga ana e punonjësve të institucioneve publike i propozohet njësë përgjegjëse të nisë proçedimin disiplinor dhe të marr masa, në përputhje me rregullat e Kodit të Punës ose ligjin e nëpunësit civil, sipas përkatësisë së punonjësit.
Drejtoria e Inspektimit të Standarteve Shërbimeve Shoqërore, kur vlerëson se janë konsumuar elementet e veprës penale nga personat përgjegjës, bën kallëzimin penal pranë autoriteteve kompetente.
APLIKIMI I GJOBAVE
Bazuar në Ligjin Nr. 121/2016, datë 24.11.2016 “Për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, Neni 49, pika 2, gërma “a”, Drejtoria e Inspektimit të Standarteve të Shërbimeve Shoqërore, në rast të shkeljeve të rënda ose në rast përsëritjeje vendosjen ndaj subjekteve ofruese të shërbimeve të kujdesit shoqëror, propozon gjobë nga 50 mijë lekë deri në 100 mijë lekë.