1. të kërkojë të njihet me autorizimin e inspektimit para fillimit të inspektimit, përveç rasteve kur, sipas ligjit, inspektimi nuk bëhet në bazë të autorizimit;
  2. të kërkojë identifikimin e inspektorëve nëpërmjet kartës së inspektorit;
  3. të jetë prezent dhe të ndjekë, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, të gjitha veprimet e inspektimit;
  4. të kërkojë dhe të marrë informacion nga inspektori për procedurën e inspektimit dhe për çdo veprim apo vendim të ndërmarrë gjatë saj;
  5. të paraqesë, me shkrim apo me gojë, mendimet, shpjegimet për faktet, rrethanat apo edhe për çështjet ligjore, që kanë të bëjnë me inspektimin, apo të paraqesë propozimet e tij për zgjidhjen e çështjes dhe dokumentet përkatëse ku i mbështet ato;
  6. të kërkojë të njihet dhe t’i njoftohet procesverbali i inspektimit;
  7. të paraqesë kontestimet e tij për vlerësimin e provave të administruara, për rezultatet e hetimit dhe për vendimin që synohet të merret nga organi publik.

Kur pjesëmarrja, gjatë kryerjes së inspektimit, sipas shkronjës “c” të pikës 1 të këtij neni, pengon kryerjen e veprimeve të inspektimit, inspektori mund të vendosë përjashtimin nga pjesëmarrja. Vendimi pasqyrohet në procesverbal dhe nuk mund të ankimohet veçmas.

Përveç sa parashikohet nga ligji i posaçëm, subjekti i inspektimit ka këto detyrime gjatë veprimtarisë së inspektimit:

  1. të caktojë një përfaqësues për të komunikuar me inspektorin gjatë inspektimit, në rast se nuk dëshiron të komunikojë drejtpërdrejt me inspektorin;
  2. të bashkëpunojë dhe të mos pengojë kryerjen e veprimeve të inspektimit. Mungesa e bashkëpunimit vlerësohet bashkë me provat e tjera;
  3. të ndalojë kryerjen e plotë apo të pjesshme të veprimtarisë, nëse kjo është e domosdoshme për zhvillimin normal të veprimtarisë së inspektimit dhe kur kërkohet nga inspektori me shkrim në procesverbalin e inspektimit;
  4. të sigurojë një vend të përshtatshëm për punën e inspektorit, nëse inspektimi kryhet në vendin e ushtrimit të veprimtarisë;
  5. të paraqesë çdo informacion, dokument dhe të japë çdo shpjegim për faktet e rrethanat e konstatuara dhe të nevojshme për inspektimin, nëse kërkohet nga inspektori dhe brenda afateve të përcaktuara nga ai;
  6. të lejojë dhe të mundësojë marrjen e dëshmive nga punëmarrësit e tij, nëse kjo kërkohet nga inspektori.