Z. Arben Seferaj priti Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Z.Bernd Borchardt

Pranë ambienteve të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore me datë 27/06/2018, Kryeinspektori i ISHPSHSH- së, Z. Arben Seferaj priti Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Bernd Borchardt.

Në takim u diskutua rreth sfidave dhe prioriteteve të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore në lidhje me sistemin e inspektimit të punës në Shqipëri.

Në interesin e posaçëm të Ambasadorit Borchardt, ishte rigjallërimi i bashkëpunimit midis prezencës së OSBE-së dhe ISHPSHSH-së, në lidhje me mbështetjen teknike nga OSBE, për evidentimin e rasteve të shfrytëzimit të mundshëm në punë, veçanërisht të punës së fëmijëve.

Gjithashtu, u diskutua për mënyrat e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional mes ISHPSHSH-së dhe Policisë së Shtetit për të maksimizuar përpjekjet për identifikimin e rasteve të punësimit të paligjshëm apo trafikimit me qëllim shfrytëzimin për punë.

Kryeinspektori z.Seferaj, njohu shkurtimisht , Ambasadorit Borchardt, me sfidat e deritanishme, të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore për të rritur performacën dhe efektivitetin e inspektimeve të kryera duke synuar përmbushjen e misionit, që ligji u ngarkon inspektorëve të punës.

Në takim u ra dakord, që prezenca e OSBE-së do të vijojë mbështetjen e ISHPSHSH-së në drejtim të harmonizimit të akteve nënligjore, në lidhje me punësimin e fëmijëve, me synim parandalimin e shfrytëzimit ekonomik të tyre.

Bashkëpunimi do të vazhdojë dhe në drejtim të rritjes së kapaciteteve institucionale përmes trajnimeve të trupës inspektuese, si për kontrollin e punës së fëmijëve ashtu dhe për të evidentuar dhe referuar rastet e dyshuara të trafikimit, me qëllim shfrytëzimin për punë, duke nisur me hartimin e një plani masash për këtë qëllim.