Inspektoriati Punës prezanton para përfaqësuesve të kompanive më të mëdha dhe sindikatave, Manualin Praktik për Vlerësimin e Riskut në Punë

Dritan Ylli: Parandalimi është parimi udhëheqes i procesit të vlerësimit të riskut dhe për këtë ju vjen në ndihmë ky dokument mjaft i thjeshtë dhe praktik

“Vlerësimi i riskut është shumë më tëper sesa thjesht një procedurë, është një filozofi e menaxhimit të sigurisë dhe shëndetit ne punë, është një mënyrë e të sjellurit të punonjësve dhe një mënyrë e mbrojtjes së tyre”

 

Inspektoriati Shtetëror i Punës zhvilloi sot një takim informues me përfaqësues nga kompanitë më të mëdha që operojnë në tregun e punës në Shqipëri.

Në këtë takim ishin edhe drejtues të sindikatës së minierave, hidrokarbureve dhe të energjisë.

Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi dhe njohja me Manualin Praktik për Vlerësimin e Riskut në Punë.

Ky manual i përgatitur nga specialistët e Departamentit të Sigurisë dhe Shëndetit pranë Inspektoriatit të Punës, është një mundësi më e mirë për përfaqësuesit e ndërmarrjeve, për punonjësit gjithashtu dhe për vetë inspektorët e punës, që të jenë më të njohur se cfarë masash duhen marrë për të krijuar një mjedis pune të sigurtë dhe parandalues për aksidentin.

Në fjalën e tij Drejtori i Inspektoriatit të Punës, z.Dritan Ylli, pasi falenderoi secilin prej të pranishmëve për pjesëmarrjen, u shpreh se është gjithnjë e vlefshme që të zhvillohen takime të tilla, në vijim të një bashkëpunimi trepalësh Punëdhënës – Punëmarrës dhe Inspektoriati i Punës, për të realizuar qëllimin e përbashkët, që është krijimi i një mjedisi më të sigurtë dhe të denjë për vendet e punës.

Sot ne po ju prezantojmë një dokument mjaft të vlefshëm që është Manuali Praktik për Vlerësimin e Riskut në Vendet e Punës, që t’ju vijë në ndihmë të gjithëve ju në punën e përditshme, për të pasur një siguri më të madhe në punë .

Parandalimi është parimi udhëheqes i procesit të vlerësimit të riskut dhe për këtë ju vjen në ndihmë ky dokument mjaft i  thjeshtë dhe praktik, por vlerësimi i riskut është shumë më tëper sesa thjesht një procedurë, është një filozofi e menaxhimit të sigurisë dhe shëndetit ne punë, është një mënyrë e të sjellurit të punonjësve dhe një mënyrë e mbrojtjes së tyre.

Por mbi të gjitha për të krijuar një mjedis parandalues të rrezikut, duhet të ketë gjithnjë një komunikim korrekt mes punonjësit dhe punëmarrësit dhe për më tepër një qasje më bashkëpunuese me institucionet e shtetit. Dhe për rrjedhojë, nga një bashkëpunim më i mirë gjatë gjithë kësaj kohe në mes të këtyre palëve, sot kemi një përmirësim të ndjeshëm të situatës së sigurisë dhe shëndetit në punë, sepse kemi 2800 ndërmarrje më shumë, që kanë përmirësuar ndjeshëm kushtet, 3300 më shumë punonjës që janë të sigurtë në vëndet e punës, të pajisur me logjistikën mbrojtëse, 1400 ndërmarrje më shumë që kanë të punësuar mjek, sidomos në ato sektorë që kanë të bëjnë me rrezikun e dëmtimit të shëndetit të punonjësve.

Ndërkaq, në fjalën e tij, drejtuesi i Sindikatës së minierave, hidrokarbureve dhe energjisë, z.Taf Koleci vlerësoi partneritetin dhe aleancën me Inspektoriatin e Punës, duke theksuar se në tërësi kemi një përmirësim të kushteve të punës.

manual riskuManual per vleresimin e riskut per Inspektoret dhe Punedhenesit

Manual per vleresimin e riskut per Inspektoret dhe Punedhenesit    ( shkarko dokument )