Java Europiane e sigurisë në punë, Inspektoriati Punës dhuron gjak

Drejtori i Inspektoriatit Dritan Ylli:  Dhurimi gjakut akt simbolik dhe solidar në ndihmë  të njerëzve në nevojë

Dritan Ylli:  Na duhet më shumë humanizëm dhe kujdes për sigurinë e jetës 

“Më shumë investim për kushtet e punës, sollën rënie të ndjeshme të aksidenteve me pasojë humbjen e jetës”

 

—-

Në kuadrin e Javës europiane të sigurisë dhe shëndetit në punë, Inspektoriati i Punës ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh që shkojnë në drejtim të rritjes së ndërgjegjësimit për krijimin e kushteve të punës që të garantojnë  më shumë siguri për jetën dhe shëndetin e punonjësve.

Sot stafi i Inspektoriatit të Punës në bashkëpunim me Bankën e gjakut dhuroi gjak për të gjithë ata njerëz në nevojë. Drejtori i Përgjithshëm i Inspektoriatit të Punës, z.Dritan Ylli u shpreh se “bashkë me stafin e Inspektoriatit të Punës, sot dhuruam gjak, duke bërë kështu një akt simbolik dhe solidar në ndihmë të njerëzve në nevojë”. Duke vijuar më tej kreu i Inspektoriatit të Punës, tha se “na duhet të kemi më shumë humanizëm si udhërrëfyes të jetës dhe punës sonë, në mënyrë që të kemi një siguri më të madhe dhe kujdes për shëndetin e secilit në përditshmërinë e jetës sonë”.

Më tej, duke folur për kushtet e punës, Drejtori i Inspektoriatit theksoi se, “duhet më shumë investim nga ana e përfaqësuesve të sipërmarrjes private për të krijuar kushte më të mira pune për rritjen e sigurisë për jetën dhe shëndetin e punonjësve, por gjithashtu duhet më shumë ndërgjegjësim edhe për vetë punonjësit që të shtojnë kujdesin për përdorimin e pajisjeve mbrojtëse individuale dhe kolektive në mjedisin e tyre të punës. “ Në bashkëpunim me sipërmarrjen private kemi bërë shumë në këtë drejtim, ndaj sot ne kemi një rënie të ndjeshme të aksidenteve me pasojë humbjen e jetës dhe gjithashtu kemi një prani të shtuar të mjekut dhe pajisjeve mbrojtëse individuale dhe kolektive”, tha Kryeinspektori Ylli.

Ndërkaq Dritan Ylli u shpreh se dhurimi  i gjakut, do të vijojë edhe në degët rajonale të Inspektoriatit të Punës, sikurse do të kthehet në një traditë të përvitshme, me qëllim që të bëjmë një institucion sa më human.