Dritan Ylli: Inspektorati i Punës mirëpret dhe angazhohet të trajtojë me prioritet dhe korrektësi, konform kuadrit ligjor, çdo ankesë të ardhur nga përfaqësitë sindikale

Sindikata e Fasonit angazhohet për të informuar Inspektoratin e Punës, për çdo të dhënë që ajo ka dijeni lidhur me punësimin informal

—–

Inspektoriati Shtetëror i Punës nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Sindikaten e Fasoneve. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshem i Inspektoriatit të Punës, z.Dritan Ylli dhe Kryetari i Sindikatës së Fasoneve, z.Hajdar Kanani. Në takimin për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ishte edhe Kryetari i Dhomes se Fasoneve, z.Gergj Gjika. Drejtori i Inspektoriatit të Punës, shprehu kënaqësinë që në nënshkrimin e marrëveshjes jane edhe përfaqësues të punëdhënësve, për faktin se realizimi i qëllimit të kësaj marrëveshjeje, kërkon angazhimin dhe vullnetin e të tre palëve, punëdhënësve-punëmarresve dhe inspektoratit të punës, si institucioni shtetëror që është i ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të ligjshme të punonjësve në tregun e punës në Shqipëri.

Dritan Ylli shprehu edhe njëherë vullnetin e Inspektoratit Shtetëror të Punës per ti trajtuar organizimet sindikale, si partnerë të rëndësishëm dhe aleatë të vlefshëm në arritjen e qëllimeve të përbashkëta, për përmirësimin e kushteve të punës dhe luftën kundër informalitetit.

Ndaj dhe qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është sensibilizimi, informimi, këshillimi, i subjekteve që janë objekt inspektimi nga Inspektorati i Punës, veçanërisht në sektorin fason, për të drejtën e tyre për tu organizuar kolektivisht në formën e sindikatave, për lidhjen e kontratave kolektive, në mbrojtje të punëmarrësve në ushtrimin e profesionit të tyre.

Marrëveshja synon kontributin e përbashkët të palëve në shmangien e informalitetit, në mbrojtjen e kushteve të punës, të kohëzgjatjes së punës, pagave, sigurimit, higjenës dhe mirëqenies, kualifikimin profesional, trajtimin e shëndetit mjeksor, punësimit të fëmijëve, të grave, dhe të çështjeve të tjera që lidhen ngushtë me to.

Ne kete marrëveshje palët bien dakord per shkëmbim te informacionit për shkelje të legjislacionit të punës, që cënon interesat social-ekonomike të punëmarrësve.

Inspektorati i Punës mirëpret dhe angazhohet të trajtojë me prioritet dhe korrektësi, konform kuadrit ligjor, çdo ankesë të ardhur nga përfaqësitë sindikale.

Sindikata e Fasonit angazhohet për të informuar Inspektoratin e Punës, për çdo të dhënë që ajo ka dijeni lidhur me punësimin informal. Gjithasahtu Sindikata e Fasonit merr përsipër të informojë Inspektoratin e Punës, për rastet e konstatimit të diskriminimit të punëmarrësve për shkak të marrjes pjesë në sindikatë, me qëllim marjen e masave për të përmirësuar situatën e krijuar. Sindikata e Fasonit merr përsipër të vërë në dispozicion të Inspektoratit të Punës listën e subjekteve që janë anëtare të saj, së bashku me kontratat kolektive, duke e pasuruar  vazhdimisht këtë listë me anëtarët që shtohen rishtaz.

Inspektorati i Punës merr përsipër organizimin e fushatave sensibilizuese në drejtim të informimit për të drejtat dhe detyrimet ligjore që rrjedhin nga zbatimi i Legjislacionit të Punës.

 

Ju faleminderit.

Zëdhënësja e Inspektoriatit të Punës, Daniela Hasani