Kreu i Inspektoriatit Dritan Ylli: Vlerësimi i riskut për cdo pozicion dhe proçes pune, që në burim është shumë i rëndësishëm, për të parandaluar cdo aksident apo dëmtim të shëndetit të punonjësve

Inspektoriati Shtetëror i Punës organizoi sot një takim me personat përgjegjës të kompanive më të njohura në Shqipëri për kushtet e sigurisë dhe shëndetit në vendet e punës, me qëllim informimin dhe njohjen e tyre me bazën ligjore. Ky takim ku merrnin pjesë përfaqësues të kompanive nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si në sektorin e ndërtimit, minierave, metalurgjisë, sektorit fason, sektorit të energjisë dhe të turizmit, mbështetej nga projekti  i Organizatës Botërore të Punës dhe Bashkimit Evropian “Për zhvillimin e burimeve njerëzore në Shqipëri”.

Objektivi kryesor i ketij takimi me teme “Vende pune te Sigurta, promovojne biznese te suksesshme” ishte rritja dhe kultivimi i nje kulture te re ndergjegjesimi per zbatimin e rregulloreve per mbrojtjen kolektive dhe individuale per vendet e punes, me qellim parandalimin e riskut dhe rritjen e sigurise per punonjesit.

Takimi u zhvillua ne forme bashkebisedimi, gjithnje ne funksion te sfides dhe qellimit te perbashket per berjen e vendeve te punes me te sigurta dhe te shendetshme. Me poshte ndodhet fjala e plote e Kreut te Inspektoriatit Shteteror te Punes, z.Dritan Ylli.

Në këtë klimë bashkëpunimi me biznesin, duke e konsideruar ate partner  shumë të rëndësishëm në arritjen e objektivave tona, kemi mundësuar  tryeza të rrumbullakta, dëgjesa  dhe takime me përfaqësues të biznesit në disa qarqe si Korcë, Vlorë, Dibër, Kukës dhe Lezhë. Sigurisht këto takime do t’i vijojmë në të gjithë qarqet e tjera, pasi çdo shqetësim apo sugjerim na vlen në punën tonë.

Një nga arsyet pse zgjodhëm këtë temë për seminarin e sotëm ishin dhe pyetjet që na u bënë pikërisht gjatë këtyre takimeve. Tashmë ajo që vihet re është se ka filluar të kultivohet një kulturë për njohjen dhe zbatimin e rregullave të sigurisë në punë me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale në punë.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se kostoja për mbulimin e një aksidenti është shumë herë më e madhe se ajo e parandalimit të tij.

Kuadri ligjor në drejtim të sigurisë dhe shëndetit në punë është përmirësuar ndjeshëm me Ligjin “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, i cili përcakton role të qarta dhe të mirëpërcaktuara për cështje që kanë të bëjnë me kushtet e punës dhe sigurinë e saj. Janë në proçes diskutimi dhe disa akte nënligjore që do dalin në zbatim të tij.

Ajo që desha të theksoj dhe që realisht ka sjellë risi, është vlerësimi i riskut për cdo pozicion dhe proçes pune, që do të thotë të vlerësosh rrezikun që në burim me qëllim marrjen e masave për të parandaluar cdo aksident apo ngjarje të padëshiruar. Gjithashtu risi të këtij ligji janë:

Përcaktimi i personave përgjegjës, për çështje të sigurisë dhe shëndetit në punë, dhe shërbimeve të specializuara që mbulojnë këtë fushë.

Këshillat e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, që kanë funksion vendimmarrës në ndërmarrje, ku numri i përfaqësuesve të punëdhënësit duhet të jetë i barabartë me atë të punëmarrësve.

Detyra jonë dhe e juaja është që të bëjmë funksionale këto rregulla që na vendos ligji.

Në raport me sigurinë dhe shëndetin në punë e kemi orientuar punën duke ndjekur disa hapa konkretë ku;

Si hap të parë kemi bërë një punë të mirë në luftën për minimizimin e punësimit informal, duke e konsideruar problem shumë serioz të ekonomisë. Në rastin e një punëmarrësi informal nuk mund të flasim më për të drejta që i takojnë apo kushte pune për t’u përmirësuar.

Si hap të dytë, kemi përcaktuar listën e subjekteve që paraqesin risk  të lartë, në drejtim të aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, sipas qarqeve ku ato ushtrojnë aktivitetin, që të na shërbejnë si lista referimi.

Si hap të tretë, kemi ndërmarrë monitorim dhe kontroll të subjekteve me aktivitet prodhues, ndërtues, miniera etj, si subjekte të cilësuara me risk të lartë, nga grupe të përbërë dhe me inspektorë nga Drejtoria Qëndrore.

Pavarësisht faktit se sanksionin nuk e kemi qëllim kryesor, në rastet e përsëritjeve të shkeljeve flagrante, atyre të konstatuara dhe më parë nga inspektorët e punës, janë marrë dhe masa ligjore përfshirë këtu dhe pezullimin e punës në dy kantiere ndërtimi.

Dhe si hap të katërt, Inspektorati i Punës aktualisht, është i përfshirë në një fushatë ndërgjegjësimi dhe kontrolli, në subjektet ndërtim dhe prodhim materiale ndërtimi, duke e vënë theksin në përdorimin e masave kolektive të mbrojtjes dhe pajisjeve mbrojtëse individuale. E kemi konceptuar si një fushatë, ku inspektorët do të dokumentojnë me foto kantieret e ndërtimit për të pare, si u gjetën dhe cfarë u përmirësua pas vajtjes së tyre.

Hyrja në fuqi së fundmi e tre VKM-ve, të miratuara në korrik të 2013-s që, përcaktojnë kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, përdorimin e pajisjeve të punës, në vendin e punës si dhe përdorimin e pajisjeve mbrojtëse individuale,  na ka orientuar që të tregojmë kujdes të shtuar që punën ta fillojmë me njohjen, informimin dhe këshillimin e subjekteve nga ana jonë.

Nëse u referohemi statistikave të periudhës që nga fillimi i këtij viti e deri tani na rezulton se:

  • 1741 numri i subjekteve të paliçensuara ku janë konstatuar 2997 punonjës informal të punojnë.
  • 477 numri i punëmarrësve informal të konstatuar në subjekte të liçensuara.
  • 44  numri i aksidenteve të rregjistruara nga të cilat 11 me pasojë vdekjen e punëmarrësit. Rasti i bërë dhe publik në media i aksidentit të rëndë të ndodhur  në ndërtimin e rrugës Gramsh-Korçë, ku si pasojë e këtij aksidenti u aksidentuan 6 punëmarrës, 3 nga të cilët humbën jetën, sigurisht një kujdes të shtuar që të tilla aksidente të mos ndodhin.
  • 151  numri i punëmarrësve të diagnostifikuar me sëmundje profesionale. Kjo shifër ka një rritje krahasuar me vite të mëparshme, që na inkurajon dhe një herë pikërisht për ndërgjegjësimin e punëdhënësve për deklarimin dhe jo fshehjen e tyre.
  • 243 numri i subjekteve, të cilët kanë të punësuar mjekun e  ndërmarrjes. Po e orientojmë punën që në subjekte që kryejnë punë të konsideruara të vështira mjeku të punësohet me kohë të plotë, më qëllim që të sigurohet shërbimi i tij në mënyrë të vazhdueshme për punëmarrësit.
  • 775 numri i subjekteve që kanë ngritur Këshillat e Sigurisë. Edhe pse është një shifër inkurajuese duhet të arrijmë që këto këshilla t’i bëjmë funksionale  dhe jo fiktive.

Inspektorati i punës është partner serioz dhe pjesmarrës aktiv  në networkun europian, ku Shqipëria është anëtare me pikën e saj fokale  në Agjensinë Europiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë dhe në kuadër të implementimit, të Projektit IPA-2010, ku një nga komponentët e tij është dhe “Modernizimi i Inspektoratit të Punës”, jemi pjesë e grupeve që po punojnë për;

  1. Transpozimin e Direktivave Europiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë
  2. Hartimin e Strategjisë për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë 2014  -  2020

 

  

Per ISHPSHSH

Daniela Hasani

 0675004444