Inspektoriati Punës takim informues me përfaqësues të sipërmarrjes private, për rregulloret e reja të pranisë së mjekut në ndërmarrje

Drejtori Inspektoriatit Dritan Ylli: Cdo punonjës të ketë akses të shërbimit mjekësor në vendin e tij të punës. Me rregulloret e reja, çdo subjekt pavarësisht numrit të punëmarrësve duhet të paiset me shërbim mjekësor

Dritan Ylli: Shërbimi mjekësor të jetë real, jo fiktiv. Masa të ashpra për ato ndërmarrje që do të gjenden pa shërbim mjekësor për punonjësit

 Duke u nisur nga kërkesat e shumta të ardhura nga biznese të ndryshme në lidhje me rregulloret e reja në lidhje me paisjen me  mjek ndërmarrje, si dhe mënyrës së funksionimit të shërbimit mjekësor në punë, Inspektoriati i Punës zhvilloi sot një takim informues për këtë qëllim. Në këtë takim merrnin pjesë drejtues të organizatave të punëdhënësve, përfaqësues nga sindikatat, sikurse dhe pjesëmarrës nga sipërmarrjet private, kompanitë ndër punëdhënësit më të mëdhenj të vendit tonë.

Ky takim u zhvillua në formë bashkëbisedimi për detajet që përmbajnë rregulloret e reja të pranisë së mjekut në ndërmarrje, që në fakt janë dhe faza përmbyllëse e ligjit të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Gjatë fjalës së tij në këtë takim informues, Drejtori i Përgjithshëm i Inspektoriatit të Punës, z.Dritan Ylli theksoi se “ është shumë e rëndësishme që cdo punonjës të ketë akses të shërbimit mjekësor në vëndin e tij të punës. Tashmë me rregulloret e reja, çdo subjekt pavarësisht numrit të punëmarrësve duhet të paiset me shërbim mjekësor me kohë të plotë, të pjesshme ose ndërsubjektor”, theksoi kreu i Inspektoriatit të Punës.

Duke vijuar sqarimin, z.Ylli u shpreh se “për grupet A dhe B të subjekteve të cilat janë klasifikuar si aktivitete që paraqesin risk të lartë për sigurinë dhe shëndetin në punë, për çdo 700 punëmarrës duhet të sigurojnë shërbimin mjekësor në ndërmarrje me kohë të plotë, ndërsa po për këtë grup subjektesh, kur kanë një numër më të vogël punëmarrësish mjeku i ndërmarrjes mund të punojë me kohë jo të plotë, kurse për grupet C dhe D të subjekteve të cilat nuk janë klasifikuar si aktivitete me risk për sigurinë dhe shëndetin në punë, për çdo 1500 punëmarrës, sigurojnë shërbimin mjekësor në ndërmarrje nëpërmjet mjekut të punës me kohë të pjesshme ose ndërsubjektor.Gjithashtu ka ndryshuar dhe periudha kohore e ekzaminimeve periodike, e cila  do të kryhet minimalisht një ose dy herë në vit, në varësi të llojit të aktivitetit dhe numrit të punëmarrësve në një subjekt.

Mjeku i ndërmarrjes jo vetëm që është një detyrim ligjor për çdo subjekt, por është një element i domosdoshëm pasi përveç kontrollit shëndetësor të punëmarrësve, mjeku bën përshtatshmërinë e vendeve të punës me punëmarrësit që e kryejnë atë, merr pjesë në kryerjen e Dokumentit të Vlerësimit të Riskut si dhe mund të jetë anëtar i Këshillit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Nga viti në vit numri i subjekteve me shërbim mjekësor është rritur, ku për 9-mujorin 2015 kemi 897 subjekte me mjek ndërmarrje, ndërsa për 9-mujorin 2016 kemi 1123 subjekte me shërbim mjekësor, pra kemi një rritje me  rreth 15%. Gjithashtu për vitin 2016 janë sanksionuar dy subjekte për mospaisjen me mjek ndërmarrje dhe në inspektimet e para në disa subjekte është lënë detyrë shërbimi mjekësor në ndërmarrje.Vlen të theksoj se Inspektorati i Punës në kontrollet e vazhdueshme të tij do të kërkoj me rigorozitet jo vetëm domosdoshmërinë e shërbimit mjekësor në ndërmarrje, por edhe që ky shërbim të mos jetë fiktiv, por të kryhet sa më saktë dhe me efikasitet në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Problematika që hasim sot janë evidentimi dhe deklarimi real i sëmundjeve profesionale. Numri i sëmundjeve profesionale për 9-mujorin 2016 është 300, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2015 ku ky numër ishte 957, pra kemi ulje të numrit të punëmarrëve me sëmundje profesionale, kjo si pasojë e kontrollit të vazhdueshëm dhe insistues nga Inspektorati i Punës në drejtim të marrjes së masave kolektive dhe individuale të mbrojtjes, si dhe rritjes së numrit të subjekteve të cilat mbulohen me shërbim mjekësor, por theksojmë me shqetësim të madh se ky numër është deklaruar nga mjekët e ndërmarrjeve, pra janë raste të dyshuara, por jo të vërtetuara nga mjeku specialist i sëmundjeve profesionale, pasi kabinetet e sëmundjeve profesionale si dhe mjekë të tyre sot nuk ekzistojnë si dhe këto raste nuk janë të shoqëruara me fletë-deklarimin tip të sëmundjeve profesionale i dalë nga Ministria e Shëndetësisë, që vërteton këtë sëmundje të shkaktuar nga puna ose jo”.