Dritan Ylli: I thamë “ndal” fenomenit aq të përhapur deri më sot të punës në të zezë. Kjo është një sfidë që vazhdon deri në rregjistrimin dhe formalizimin e punëmarrësit më të fundit, dhe ne do të kemi gjithnjë vullnetin  e duhur, për ta luftuar këtë fenomen

Kur bëhet një analize për punën e një institucioni, për më tepër kur duhet të shqyrtohet puna e një viti të tërë, gjendesh përballë disa pyetjeve të natyrshme; cfarë kemi bërë gjatë këtij viti? Cfarë ndryshimesh kemi sjellë në raport me vitin paraardhës? Sa kemi ndikuar të gjithë bashkë si institucioni mbrojtës i të drejtave të ligjshme të punonjësve, për të luftuar punën jo dinjitoze? Sa kemi mundur që të ndikojmë në krijimin e një mjedisi më të mirëqenë për një punë më të denjë për qytetarët që janë në marrëdhënie pune? Në fakt këta janë pyetje që kanë të bëjnë me punën tonë të përditshme në zbatim të misionit tonë ligjor, human dhe qytetar.

Unë sot e them me shumë bindje që viti 2015 ka qenë një sukses i padiskutueshëm, që ka sjellë jo vetëm ndryshim dhe përmirësim të dukshëm në marrëdhënien e punës midis punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe kushtet e punës në tërësi, por duke menduar se puna është pjesë e rëndësishme e jetës së njeriut, viti që shkoi ka sjelle për rrjedhojë një përmirësim të cilësisë së jetës, për shumë qytetarë në marrëdhënie pune.

Dhe për ta bërë më konkret këtë fakt, doja të sillja përpara jush, tre prej qindra ankesave të punonjësve, që janë drejtuar tek inspektoriati i punës, gjatë vitit 2015, ankesa që në fakt më shumë janë copëza historish që flasin për shkelje të të drejtave të punonjësve, të drejta të rifituara tashmë si rezultat i ndërmjetësimit të ligjshëm të inspektorëve të punës.

Një grup punonjësish, që punonin të padeklaruar në një subjekt fason,  në Durrës, trokitën në derën e Inspektoratit të Punës, sepse një ditë kuptuan që ka një derë që do t’ju përgjigjet.

Mënjehërë inspektorët e punës verifikuan rastin dhe konkluduan se punëmarrësit kishin patur të drejtë. Sot që flasim, skemës së sigurimeve shoqërore i janë shtuar edhe 57 punëmarrës më shumë, duke ju dhënë këtyre një të drejtë ligjore që ju takon, por për më tepër duke iu shlyer një borxh që gjithë shoqëria jonë e mban mbi supe, një detyrim qytetar dhe human.

Por, gjatë vitit 2015, janë regjistruar më shumë se 100 mijë punonjës të rinj, të nxjerrë nga informaliteti dhe puna në të zezë,  si rezultat i operacionit qeveritar, kundër informalitetit me një kontribut të rëndësishëm edhe të Inspektorëve të Punës,  sikurse dhe strukturave të tjera kontrolluese dhe inspektuese. Pra, gjatë vitit 2015 më shumë se 100 mijë qytetarë ju rikthye e drejta e ligjshme e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, për të pasur mundësinë e pensionit, kur tju vijë koha për të pleqëruar, sikurse dhe për të pasur mundësinë e trajtimit social, në rastet e ndodhisë së ndonjë aksidenti në punë. Por, duke mos harruar dhe një kontribut të rëndësishëm për mbushjen e gropës së madhe të buxhetit të shtetit, të hapur për vite me radhë si pasojë e mospagesës së kontributeve.

Gjej rastin të falënderoj të gjithë trupën inspektuese të angazhuar për korrektesën, maturinë dhe profesionalizmin e treguar. Pra të gjithë bashkë më në fund i thamë “ndal” fenomenit aq të përhapur deri më sot të punës në të zezë. Natyrisht, që kjo është një sfidë që vazhdon deri në rregjistrimin dhe formalizimin e punëmarrësit më të fundit, dhe ne do të kemi gjithnjë vullnetin  e duhur, për ta luftuar këtë fenomen.

Të fokusuar fort në luftë kundër punësimit informal, si forma më poshtëruese e një marrëdhënie pune, pasi një punëmarrës i padeklaruar nuk gëzon asnjë të drejtë nga puna e tij,është punuar shumë edhe për të krijuar një mjedis të mirëqenë për një punë të denjë.

Po e vijoj me një tjetër ankesë që ka ardhur në drejtim të inspektoriatit të punës, ankesa gjithnjë në rritje, jo se po rriten problemet, përkundrazi po rritet gjithnjë dhe më shumë besimi tek inspektoriati punës.

Një ankues tjetër, që donte të ruante anonimatin, përmes portalit “denonco.al” bënte prezent problemin se në subjektet me aktivitet shërbime pastrimi në një bankë,  punëtorët punonin më shumë se koha normale e punës, dhe nuk paguheshin për punën e kryer. Pas kontrollit të inspektorëve dhe verifikimit të bërë, ankesa u zgjidh në favor të punëmarrësve. Ndërkohë që nisur nga fenomeni që konstatuam, u orientua një inspektim më i gjerë për të gjithë këtë kategori aktiviteti, për punën e kryer mbi orarin zyrtar apo ditëve të shtuna dhe që duhet paguar ekstra. Numri i punëmarrësve që preken nga kjo lloj shkelje është i kosiderueshëm dhe sigurisht me korrektimin e kësaj shkeljeje edhe qytetarët në marrëdhënie pune që përfitojnë janë shumë më tepër. Këtu flasim për informalitetin gri dhe jemi të vetëdijshëm, që është dhe forma më e vështirë për t’u trajtuar dhe kërkon nga të gjithë ne një  profesionalizëm më të madh në kryerjen e detyrës.

Ka mjaft skeptikë të paduruar dhe unë bashkohem me ta, pasi kemi zgjedhur të përballemi me realitetin dhe jo ti fshihemi atij, që kërkojnë rregullim të menjëhershëm të kushteve të punës për punonjësit. Por, nuk duhet harruar se deri para dy vitesh, me keqardhje duhet thënë, por punëmarrësit fshiheshin nëpër dhoma të fshehta apo mbylleshin nëpër magazina sapo në derën e subjektit të shfaqeshin inspektorët e punës. Nuk mund të flitej në një situatë të tillë për kushte pune, për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Po parashtroj një tjetër histori animimi;

Një punonjës në një kantier ndërtimi në Shkodër, i drejtohej Inspektoriatit të Punës duke denoncuar subjektin, që punonte jashtë kushteve të sigurisë duke vënë në rrezik jetën e punëmarrësve.

Grupi i inspektorëve që trajtoi këtë rast, doli në konkluzionin se ankesa qëndronte dhe përmes masës urgjente u bë pezullimi i punës, për përmirësimin e menjëhershëm të kushteve të punës dhe marrjes së masave të mbrojtjes në punë. 20 punëmarrës të këtij subjekti, sot punojnë në kushte pune më të sigurta për jetën e tyre.

Por, gjatë vitit 2015 si rezultat i fokusimit të kontrollit dhe inspektimit tek ndërgjegjësimi dhe ndërmarrja e masave mbrojtëse individuale dhe kolektive për të shmangur rrezikun, kemi 3265  punëmarrës më shumë, të pajisur me pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, në 843 subjekte të kontrolluara, duke i dhënë prioritet kësaj çështje. Kemi 2763 subjekte më shumë të cilët kanë përmirësim të kushteve të punës për punëmarrësit e tyre, kemi 562 ndërmarrje, në të cilat janë ngritur dhe kanë filluar të funksionojnë këshillat e sigurisë në punë, forume ku diskutohet për kushtet e punës në mes punëdhënësit dhe punëmarrësve. Gjithnjë në përpjekje për krijimin e mjedisit të punës së denjë, sidomos për praninë e mjekur në ato ndërmarrje që paraqesin një risk më ta mdh në drejtim të sëmundjeve profesionale dhe dëmtimit të shëndetit të punonjësve, sot kemi; 1327 ndërmarrje më shumë që kanë të  punësuar mjek dhe 730 punëmarrës më pak të evidentuar me semundje profesionale.

Kuptohet që kjo situatë flet për një bashkëpunim shumë të mirë me sipërmarrjen private. Ne jemi shumë të keqardhur, pasi për vitin 2015 janë regjistruar 125 raste aksidenti në punë, 28 me pasoje humbjen e jetes, por ama ka një rënie me 8 per qind, të numrit të aksidenteve me pasojë humbjen e jetës së punëmarrësve, ndërkohë që ka një rritje të ndërgjegjësimit për deklarimin e aksidenteve. Më përpara ashtu si punonjësit informalë, edhe aksidentet fshiheshin, duke ju mohuar të drejtën e përfitimit të trajtimit social, për ato punonjës që lëndoheshin fizikisht. Aktualisht kemi regjistruar 10 ankesa për aksidente të ndodhura dhe të panjoftuara në kohë pranë Inspektoriatit të Punës nga punëdhënësit. Janë 26 subjekte të sanksionuara në vlerën e 5 milionë lekë vetëm për shkeljet e konstatuara për aksdente në punë. Ndërkohë që për të gjithë vitin 2015 janë sanksionuar gjithsej 122 subjekte me vlerën rreth 35 milion lekë.

Në 195 subjekte është aplikuar masa urgjente e pezullimit të punës për rregullimin e menjëhershëm të shkeljeve flagrante.

Ajo që kemi kuptuar është se sanksioni, apo penaliteti nuk është mjeti më efikas, për përmirësimin e situatës nga ana e punëdhënësve, por përkundrazi një bashkëpunim më intensiv dhe i vijueshëm për rritjen e ndërgjegjësimit me qëllim krijimin e vendeve të punës më të sigurta.

E gjithë kjo ndikon në bilancin e një kompanie, për faktin se rendimenti i punës së një punëmarrësi është i lidhur ngushtësisht me kushtet e punë në të cilat punon ai çdo ditë, ndaj sa më të mira të jenë ato aq më i lartë është rendimenti.

Sot në të gjithë vendet e Bashkimit Europian, krahas metodës së inspektimit një pjesë e mirë e punës dhe energjisë, shkon drejt fushatave ndërgjegjësuese, kjo për faktin se edhe atje ashtu sikuse edhe tek ne aksidentet ndodhin dhe detyra jonë është të merren masat për një mjedis më të sigurtë që të minimizojë aksidentet.

Inspektoriati i Punës, përvec rikthimit të dinjitetit tek punonjësi, ka nisur një sërë reformash për përmirësimin e punës së tij.

Procesi i inspektimit tashmë është shumë më transparent dhe efektiv se ai i mëparshmi. Ligji i lë hapësirën kontestimeve punëdhënësit apo përfaqësuesit të autorizuar të tij, akoma pa e marrë vendimin përfundimtar inspektorët, gjë që më parë nuk ishte e parashikuar. Kjo bën që dhe biznesi të jetë prezent dhe i qartë për atë që konstatohet gjatë inspektimit duke minimizuar kështu abuzimin me detyrën nga ana e inspektorëve.

Tregu i punës është shumë dinamik dhe sot çdo ditë po aplikohen teknologji të reja dhe inspektorati i punës po u përgjigjet kërkesave të kohës, duke krijuar një institucion me shërbime të informatizuara. Aktualisht ne jemi në faza të përmbylljes për kryerjen e inspektimit on-line përmes portalin “e-inspektimi”.

U kemi krijuar mundësinë subjekteve që procesi i vetëdeklarimit të aktivitetit, apo të ndryshimeve të tij të kryhet përmes rrugës elektronike.

Kemi nisur projektin për dixhitalizimin e historikut të arkivave të inspektimit dhe përfitimet që do vijnë nga ky projekt do jenë shumplanëshe.

Inspektoriati i Punës do të jetë gjithmonë në mbrojtje të të drejtave të punëmarrësve dhe një institucion bashkëpunues me sipërmarrjet private. Do të vijojmë të zhvillojmë takimet konsultative me bizneset si dhe do të thellojmë më shumë aleancën me përfaqësitë sindikale.

Në fund desha tju drejtohem, si gjithnjë dhe pa u ndalur, inspektorë të punës;

Kjo analizë vjen si konkluzion i analizave të hollësishme të bëra në çdo qark, ku janë evidentuar puna e secilit prej jush dhe problematikat specifike që variojnë sipas rajoneve.

Ka ardhur koha që secili nga ju, të punojë më shumë për rritjen profesionale,  që tu përgjigjet kërkesave të kohës. Në fillim dhe në fund të ditës, jeni ju ato që e bëjnë këtë institucion të suksesshëm ose jo, duke mos harruar rëndësinë që sjell në jetët qindra mijëra qytetarëve që janë në marrëdhënie pune.