Drejtori i Inspektoriatit të Punës, z.Dritan Ylli vizitë inspektuese, në një ndërmarrje fason, në zonën industriale të Njësisë nr.8 në Tiranë

 

Dritan Ylli: Puna e bërë ditën e shtunë, apo cdo tejkalim i orëve normale javore të punës, duhet të kenë një pagesë ekstra bazuar edhe në dispozitat e Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë

Ylli: Inkurajojmë çdo biznes apo sipërmarrës, që të rrisë aktivitetin e vet për të krijuar vende të reja pune, sikurse duhet të punojmë te gjithë për krijimin e një mjedisi pune më të denjë, më të sigurtë dhe më të shëndetshëm për qytetarët

 

Lajmi:

Drejtori i Inspektoriatit të Punës, z.Dritan Ylli zhvilloi sot një vizitë inspektuese, në një ndërmarrje të sektorit fason, në zonën industriale në Njësinë nr.8 në Tiranë. I shoqëruar nga inspektorët e zonës, drejtori i Inspektoriatit, takoi dhe bashkëbisedoi me disa punonjëse kryesisht gra dhe vajza dhe u interesua gjerësisht për kushtet e punës dhe respektimin e kontratës së punës. Gjithashtu z.Ylli bashkëbisedoi edhe me drejtuesen e kompanisë “Omega”, znj.Lindita Legisi, si një ndër sipërmarrëset më të suksesshme në këtë sektor, vecanërisht për domosdoshmërinë në tërësi të krijimit të kushteve më të mira dhe standarteve për një punë të denjë, në mënyrë që qytetarët të ndjehen dinjitozë në vendet e tyre të punës. Pas vizitës në këtë subjekt fason, Drejtori i Inspektoriatit të Punës, z.Dritan Ylli u shpreh se “jo rastësisht kemi planifikuar të zhvillojmë këtë vizitë inspektimi në ditë të shtunë, pranë subjektit “Omega” shpk , i cili ka punësuar një numër të konsiderueshëm grash dhe vajzash, për të parë nëse respektohen pagesat për punën e kryer mbi orët normale javore të punës. Pra, puna që bëhet ditën e shtunë, ose kur tejkalohen orët normale javore të punës, duhet të ketë një pagesë ekstra bazuar edhe në dispozitat e Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë. Jemi shumë të kënaqur që kjo kompani, e respekton këtë dispozitë të Kodit të Punës, duke krijuar kështu një standart më të mirë të punës për punonjëset gra dhe vajza”.

Duke vazhduar më tej, kreu i Inspektoriatit të Punës, theksoi se “ne inkurajojmë çdo biznes apo sipërmarrës, që të rrisë aktivitetin e vet për të krijuar vende të reja pune, sikurse duhet të punojmë te gjithë për krijimin e një mjedisi pune më të denjë, më të sigurtë dhe më të shëndetshëm për qytetarët.

Inspektorati i Punës do të ushtrojë të gjithë përgjegjësitë e tij, që i jep ligji që puna e kryer nga çdo punëmarrës në tregun e punës në Shqipëri, të mos trajtohet në kushte skllavëruese.

Me argumentin e specifikës së proçesit të punës, ka punëdhënës që shkelin dispozitat e tejkalimit të orëve të punës, si në kohëzgjatjen ditore dhe në atë javore të saj, apo mosrespektimit të pagesave për punë të kryer në ditët e pushimit javor dhe festa zyrtare.

Parë në këndvështrimin e inspektorit të punës, ky tejkalim i kohës normale mund të bëhet shkak për aksident në punë, si dhe moskompesim i punës së kryer nga punëmarrësit që ndryshe konsiderohet skllavëri moderne”.

Drejtori i Inspektoriatit sërish shprehu apelin e tij ndaj punonjësve për adresim pranë Inspektoratit të Punës të çdo rasti të mosrespektimit të legjislacionit të punës, duke shkelur të drejtat e tyre, sikurse dhe cdo rast të abuzimit me detyrën nga ana e inspektorëve të punës në terren. Ne garantojmë trajtimin me seriozitet  maksimal të çdo rasti të ardhur.

 

Tirane. 27.2.2016