Dritan Ylli: Në 2015 nxorrëm nga mjerimi i punës në të zezë më shumë se 100 mijë punonjës, ketë vit sfida për rritjen e sigurisë për  jetën e punonjësve dhe krijimin e kushteve për një punë të denjë

Ylli:  Masa të ashpra ligjore, për sipërmarrësit që nuk zbatojnë rregulloret e sigurisë në punë, jeta e njeriut është aseti më i çmuar

Ylli: Të punojmë të gjithë për rritjen e një kulture ndërgjegjësuese për parandalimin e rrezikut, duke marrë masa sigurie parandaluese për aksidentet

 

——-

Drejtori i Pergjithshëm i Inspektoriatit te Punës, z.Dritan Ylli së bashku me drejtues të Inspektoriatit të degës së Tiranës, zhvilluan sot një vizitë inspektuese në një prej kantiereve te ndërtimit në Tiranë.

Qëllimi i vizitës ishte për të parë nga afër mjedisin e punës, kushtet e sigurisë dhe shëndetit për punonjësit, sidomos pas vërejtjeve të lëna nga inspektimet e mëparshme të bëra nga inspektorët e Punës.

Sektori i ndërtimit vazhdon të jetë më shqetësuesi përsa i përket aksidenteve edhe për vitin që sapo u mbyll.  Pasi vërejti nga afër mjedisin përreth, kushtet e punës, pajisjet dhe logjistikën mbrojtëse individuale për punonjësit, vendosjen e skelerisë dhe rrjetave rrethuese për sigurinë kolektive, Kreu i Inspektoriatit, Ylli zhvilloi edhe një bisedë me punonjësit e kompanisë ndërtuese. Ai i pyeti punonjësit mbi kushtet e punës dhe kërkoi nga ata që të mos pranonin në asnjë moment të punojnë pa pajisjet mbrojtëse individuale dhe kolektive, te cilat garantojnë sigurinë e tyre te jetës.

Drejtori i Inspektoriatit të Punës z.Dritan Ylli pas kësaj vizite inspektuese u shpreh se, sfida e këtij viti do të jetë siguria më e madhe për jetën e punonjësve, marrja e masave parandaluese për aksidentet përmes permirësimit të mjedisit dhe krijimit të kushteve për një punë më të denjë.

Nëse vitin që shkoi sfida kryesore ishte lufta kundër informalitetit dhe punes në të zezë, sfidë e cila vazhdon, por që dha rezultate historike duke nxjerrë nga mjerimi i punës në të zezë më shumë se 100 mijë punonjës, ketë vit inspektimet dhe kontrollet do të përqëndrohen më shumë në rritjen e sigurisë për  jetën e punonjësve dhe për krijimin e kushteve për një punë të denjë.

“Edhe pse kemi një rënie 30 për qind të aksidenteve me pasojë humbjen e jetës ne vitin 2015, sërish mbetet shqetësuese situata e sigurisë në punë dhe qëllimi është qe të krijohet një mjedis më i sigurtë për të minimizuar dhe reduktuar plotësisht jo vetëm aksidentet me pasojë humbjen e jetës, por aksidentet në vendin e punës në tërësi”, u shpreh z.Ylli.

Inspektoriati i Punës do të vijojë të ketë në një monitorim të vazhdueshëm sektorët më të riskuar për aksidentet, sidomos në sektorin e ndërtimit. Krijimi i një mjedisi punë të sigurtë dhe të shëndetshëm, vënia në dispozicion të punonjësve të pajisjeve mbrojtëse individuale, marrja e masave mbrojtëse kolektive, janë detyrim për sipërmarrësit. Ata do të përballen me masa të ashpra ligjore, nëse nuk i zbatojnë rregulloret e sigurisë në punë, pasi jeta e njeriut, jeta e punonjësit është aseti më i çmuar. Por, për më tepër duhet punuar nga të gjithë për rritjen e një kulture ndërgjegjësuese për parandalimin e rrezikut, duke marrë masa sigurie parandaluese për aksidentet, thekoi Drejtori i Inspektoriatit të Punës.

 

Tirane 15.01.2016