Dritan Ylli takime me drejtues të lartë të rajonit të Puljas dhe Italisë në fushën e sigurisë në punë. Projekte të përbashkëta për rritjen e ndërgjegjësimit për një mjedis pune më të sigurtë dhe të shëndetshëm

Drejtori i Përgjithshëm i Inspektoriatit të Punës, z.Dritan Ylli ka prezantuar rezultatet e institucionit që ai drejton në Shqipëri në edicionin e IV të Panairit të Punës të organizuar në mjediset e Fiera del Levante, në Bari. Duke qenë pjesë e panelit dhe folës në këtë konferencë, ku merrnin pjesë autoritete më të larta te rajonit të Puljas dhe Italisë në fushën e sigurisë në punë, Ylli ka prezantuar arritjet vecanërisht në drejtim të rritjes së besueshmërisë dhe transparencës së institucionit, rezultatet e dukshme dhe mjaft pozitive në reduktimin e punës ilegale dhe luftën kundër informalitetit, sikurse dhe punën shume serioze dhe konkrete që po behet për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e standarteve të sigurisë për parandalimin e aksidenteve, në menyrë që të kemi vende pune me të sigurta dhe më të shëndetshme. Gjithashtu gjatë fjalës së tij, kreu i Inspektoriatit të Punës, foli dhe për përpjekjet që po bëhen për krijimin e standarteve të rregullta dhe të ndershme në tregun e punës në Shqipëri dhe jo trajtimin me standarte të dyfishta të përfaqësuesve të biznesit dhe sipërmarrjes private.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Inspektoriatit të Punës, u shpreh se “për t’i bërë vendet e punës më të sigurta dhe të shëndetshme dhe me synim minimizimin e aksidenteve në punë, janë ndërmarrë kontrolle tematike në sektorë, që mbartin më shumë rrezik. Inspektorati ka hartuar dhe publikuar Manualin Praktik për Vlerësimin e Riskut në Punë, i cili është përgatitur për të ndihmuar inspektorët e punës që të kuptojnë procedurën e Vlerësimit të Riskut, zbatimin dhe menaxhimin e tij, si dhe për të ndihmuar punëdhënësit për të përmbushur detyrimet e tyre. Ky Manual do të ndihmojë edhe specialistët e SSHP që të kryejnë Vlerësimin e Riskut në punë dhe për të miratuar masa të përshtatshme parandaluese dhe korrigjuese në përputhje me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
“Parandalimi i rreziqeve është fitim dhe jo shpenzim. Fitim për biznesin, sepse kontribuon në kualitetin, efiçencën, produktivitetin dhe suksesin e kompanisë. Fitim për punëmarrësit, sepse kontribuon në shëndetin, mbrojtjen dhe mirëqenien e tyre. Promovimi i kulturës parandaluese, nënkupton parandalimin e humbjeve në drejtim të sigurisë e shëndetit në punë të punëmarrësve. Të gjithë e dimë se është më vështirë të trajtosh një humbje, se sa ta parandalosh atë”, është shprehur Ylli në fjalën e tij si një prej diskutantëve më të rëndësishëm në panelin e ngritur nga organizatorët në lidhje me sigurinë dhe shendetin në vendin e punës në Shqipëri.
Në Konferencën e organizuar nga Eliapos, morën pjesë autoritetet më të larta të rajonit të Pulias dhe Italisë për fushën e sigurisë në punë si dhe investitorë të shumtë që shfaqën interes për tregun e punës në Shqipëri. Kreu i Inspektoriatit, z.Ylli evidentoi përpjekjet dhe hapat progresiv që po bënë Institucioni në lidhje me temën në diskutimet e kësaj Konference.
“Kemi një ulje të numrit të aksidenteve në punë, qoftë ato me pasojë humbjen e jetës, apo aksidente të tjera në ndërtim, kjo si pasojë e rritjes së numrit të inspektimeve në subjektet me aktivitet ndërtim, si dhe zbatimi i “Urdhërit për Kontroll”,ku e gjithë trupa inspektuese u angazhua në kontrollin tematik në subjektet me aktivitet ndërtim dhe prodhim material ndërtimi, për krijim e një kulture ndërgjegjësimi për përdorimin e pajisjeve mbrojtëse individuale dhe kolektive, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale”.
Përsa I përket fjalës që Ylli mbajti në lidhje me shëndetin në punë ai tha se; “Siguria dhe Shëndeti janë dy elementë të lidhur ngushtë me njëra-tjetrën, pa vende të sigurta pune nuk mund të kemi punëmarrës të shëndetshëm dhe biznese të suksesshme. Siguria dhe shëndeti në punë, janë masat e marra, që kanë si synim përmirësimin e kushteve gjatë procesit të punës, ruajtjen e jetës, integritetin e shëndetit, mbrojtjen fizike dhe psikike të punëmarrësve të tjerë që marrin pjesë në procesin e prodhimit”, duke theksuar se, “siguria dhe shëndeti në punë është e rëndësishme për arsye morale, ligjore dhe financiare”
Sekretarja e Pergjithshme e Federatës Italiane të Sigurisë në Punë, znj. Vivieta Bellagamba premtoi për bashkëpunime të mëtejshme dhe projekte të përbashkëta me Inspektoriatin e Punës në drejtim të cështjeve në lidhje me sigurinë dhe shëndetin në punë. Projektet do të jenë veçanërisht në rritjen e ndërgjegjësimit për krijimin e kushteve më të denja në punë.
15.09.2016