Beteja kundër pasigurisë dhe punës në të zezë

Revista MAPO  Postuar më: 23 Shkurt 2016 09:33

Dritan Ylli: Kemi nxjerrë mbi 200 mijë punëtorë nga skllavëria moderne. Një punonjës informal, është një punonjës i panjohur, pa asnjë të drejtë legjitime 

Dritan Ylli, Kreu i Inspektoriatit të Punës, thotë se masat e marra kanë shpëtuar mbi 200 mijë punëtorë, nga ajo që e quan skllavëri e punës në të zezë. Në një intervistë, Ylli tregon se masat e marra nga inspektoriati, kanë për synim rritjen e sigurisë në punë dhe shton se një numër ndërmarrjesh kanë shtuar mjekët pranë qendrave të punës, duke ulur numrin e të sëmurëve profesionalë dhe sipas tij duke përgjysmuar edhe numrin e aksidenteve të rënda në punë. Sipas Yllit, gjatë tri viteve të fundit, i është dhënë fund heshtjes dhe fshehjes së aksidenteve të rënda me vdekje, duke u mundësuar punëtorëve ndihmën që marrin pas këtyre aksidenteve.

Cila është gjendja e sigurisë në punë sot në Shqipëri dhe çfarë është bërë nga ju në këtë drejtim?

Më vjen mirë që këtë intervistë, ju e nisni me një pyetje mbi gjendjen e sigurisë në vendet e punës. Deri më tash, pyetjet e para, gjithnjë  kishin të bënin kryesisht me punën informale, pra me punën në të zezë. Kjo për arsye se dhe ne si Inspektoriat i Punës, e kishim shpallur kryeprioritet, luftën kundër punës në të zezë, pasi është forma më skllavëruese e një marrëdhënieje pune, në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit. Për një qytetar që punon pa sigurime shoqërore dhe shëndetësore gjithashtu, nuk mund të flasim kurrsesi për një punë të denjë, apo për kushte të sigurisë dhe shëndetit në punë. Një punonjës informal, është një punonjës i panjohur, që nuk përfiton asnjë të drejtë legjitime dhe për rrjedhojë nuk mund të monitorohet në kushtet e tij të profilit të punës. Pa llogaritur këtu, miliona lekë të evazionit që krijuan ndër vite një gropë të madhe financiare në buxhetin e shtetit, nga mosderdhja e kontributeve të sigurimeve shoqërore të punonjësve. Gjithsesi, rritja e standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë, për të krijuar një mjedis të mirëqenë për një punë më të denjë për qytetarët në tregun e punës në Republikën e Shqipërisë, ka qenë dhe vijon të jetë një objekt i vazhdueshëm i punës sonë. Sot e them me bindje që ka një përmirësim të dukshëm, të kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë, ka një kujdes të shtuar të përfaqësuesve të sipërmarrjes private, për të krijuar kushte më të sigurta pune, sikurse dhe një ndërgjegjësim më të madh të vetë punonjësve për të kërkuar masat e duhura teknike, që të ruajnë jetën e tyre.

Gjatë vitit të kaluar, janë inspektuar me tematikë për kushtet e sigurisë në punë, plot 2074 subjekte të aktiviteteve me risk, si: ndërtim, miniera, ndërmarrje prodhuese dhe elektricitet. Kemi një rënie të ndjeshme të aksidenteve gjatë viteve 2014-2015, sidomos atyre me pasojë humbjen e jetës, ndërkohë që kemi një ndërgjegjësim më të madh të deklarueshmërisë së tyre. Viti 2015 shënoi 24 aksidente të deklaruara me pasojë humbjen e jetës, një përgjysmim në rënie në krahasim me vitet e mëparshme. Me këtë dua të them, se gjatë viteve të mëparshme, aksidentet jo vetëm që ishin më të larta në numër, por ato nuk deklaroheshin fare, duke sjellë një tjetër nëpërkëmbje të së drejtës minimale të punonjësve. Një aksident që ndodh duhet deklaruar, sepse nëse fshihet, e para ka shkelje të ligjit të sigurisë në punë dhe çka është më e rëndësishme, i aksidentuari nuk do të ketë mundësi të trajtohet përmes skemave të ndihmave sociale, që parashikohen nga ligji në këto raste. Pra, kemi një përmirësism të ndjeshëm të situatës dhe për këtë kanë ndikuar reformat e ndërmarra në inspektoriatin e punës. Disa prej tyre janë orientimi më efektiv i procesit të inspektimit, në subjektet që paraqesin rrezikshmëri në punë, shtimi i numrit të ndërmarrjeve që mbulohen me shërbim mjekësor, dhe sidomos, fushatat informuese dhe ndërgjegjësuese me biznesin në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës, e në veçanti për përdorimin e pajisjeve individuale dhe kolektive të mbrojtjes, për të parandaluar rrezikun e ndodhisë së aksidentit. Për rrjedhojë, në vitin 2015 kemi një rritje të ndjeshme të subjekteve që përdorin PMI (pajisje mbrojtëse individuale), ku rezultojnë 2944 ndërmarrje, thuajse dyfishi i periudhave të mëparshme. Pajisjet mbrojtëse individuale, janë shumë të rëndësishme për sigurinë fizike të punonjësit, sidomos në sektorë të tillë problematikë, si: ndërtimi, minierat apo sektorë të tjerë të industrisë përpunuese. Nga ana tjetër, kemi një rritje të pranisë së mjekut, në disa kompani që paraqesin një risk në raport më sëmundjet profesionale, siç janë p.sh., sektorët e fasonit dhe nxjerrja dhe përpunimi i naftës dhe nënprodukteve të saj, sa i përket rrezikut për lëndët helmuese kimikate, apo call center, apo bankat për lëndimin e personit për shkak të qëndrimit të gjatë para kompjuterëve etj. Kemi 1327 ndërmarrje që mbulohen me shërbim mjekësor në këto sektorë për vitin 2015, duke shënuar një rritje të ndjeshme. Për rrjedhojë dhe nisur dhe nga përmirësimi i kushteve të punës, kemi gati 1 mijë punonjës më pak të prekur nga sëmundjet profesionale.

Krijimi i kushteve për një punë më të sigurtë dhe më të shëndetshme, është një sfidë që kërkon një bashkërendim më të mirë të disa strukturave shtetërore, një edukim që duhet të nisë nga bankat e shkollës. Por, në radhë të parë kërkon një ndërgjegjësim dhe informim më të madh, të vetë përfaqësuesve të sipërmarrjes private, sikurse edhe të vetë qytetarëve që janë në marrëdhënie pune. Sipërmarrësit duhet të investojnë më shumë për sigurinë në punë, për vetë faktin se kostoja e parandalimit të një aksidenti, është gjithnjë më e lirë, se kur aksidenti ndodh, duke pasur gjithnjë në konsideratë edhe aspektin human, të dëmtimit të njeriut, apo për më keq akoma për humbjen e një jete njerëzore.

Problemet kryesore përsa i përket sigurisë në punë në vendin tonë, kanë të bëjnë me minierat dhe ndërtimin. A ka ndonjë plan ndërhyrjeje për të ndryshuar situatën duke qenë se aksidente të kësaj natyre vijojnë të ndodhin?

Sektori i minierave dhe ndërtimit, klasifikohen gjithnjë dhe jo vetëm në vendin tonë, si sektorët që paraqesin risk më të lartë për lëndimin fizik të punonjësit, e shoqëruar për fat të keq herë pas here me aksidente me pasojë humbjen e jetës. Minierat dhe ndërtimi edhe në vitin që kaloi, ishin sërish më shqetësueset. Kemi ndërmarrë shumë inspektime me tematikë, posaçërisht për kushtet e sigurisë në punë. Kemi zhvilluar disa fushata ndërgjegjësuese dhe informuese, me personat përgjegjës për kushtet e sigurisë teknike të kompanive, gjë që nuk janë bërë asnjëherë më parë. E thashë dhe në përgjigje të pyetjes së parë, kemi rënie të aksidenteve me pasojë humbjen e jetës, kemi rritje të përdorimit të pajisjeve mbrojtëse individuale dhe kolektive, qoftë për punonjësit e ndërtimit dhe nga minatorët. Përveç kësaj, disa herë kemi qenë të detyruar të marrim masën e pezullimit të menjëhershëm të punës, kur kemi parë se në një kantier ndërtimi, ka shkelje të rregullores dhe ligjit të sigurisë në punë. Natyrisht që nuk duam kurrsesi, që të mbyllim aktivitete, përkundrazi ne dëshirojmë hapjen e vendeve të reja të punës. Ne promovojmë vende pune të sigurta dhe të shëndetshme, dhe në rast se një inspektor pune në një kantier të inspektuar, do shikojë një rrezik potencial për sigurinë e punonjësit dhe duke qenë se jeta e njeriut është aseti më i çmuar, janë udhëzuar e gjithë trupa inspektuese që të ndërhyjnë menjëherë për të pezulluar punën, deri në rivendosjen e sigurisë së duhur. Raste të tilla të pezullimit të menjëhershëm, kemi pasur plot gjatë këtyre dy viteve, si në Tiranë ku është e përqendruar më shumë ky sektor, por edhe në rrethe të ndryshme të vendit tonë.

Edhe në sektorin e minierave, kemi një përmirësim të kushteve të punës. Por, duhet thënë se në rastin e minierave, inspektoriati i punës është në bashkëpunim me Repartin e Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave (RISHM). RISHM monitoron dhe ka përgjegjësinë e sigurisë në brendësi të galerisë. Kurse inspektorati i punës, kontrollon dhe ka përgjegjësi për pajisjet mbrojtëse individuale të minatorëvë dhe marrëdhënien e punës në tërësi. Nisur nga fakti, që edhe sipërmarrësit që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor, kanë nisur të investojnë për krijimin e kushteve më të mirë të punës, si dhe nga kontrollet dhe monitorimi i vazhdueshëm i zbatueshmërisë së ligjit të sigurisë në punë, kemi një rënie të kurbës së aksidenteve. Por, aksidente në punë ndodhin në gjithë botën. Edhe në Europë, në një vit ndodhin qindra mijëra aksidente në punë. Dua të sjell në vëmendje, që edhe Agjencia Europiane e Sigurisë dhe Shëndetit, me të cilën kemi marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi, ka si shqetësim kryesor dhe bën fushata të vazhdueshme informimi dhe sensibilizimi për rritjen e ndërgjegjësimit për parandalimin e riskut.

Cilat janë problemet kryesore për sigurimin e punonjësve dhe luftën kundër punës në të zezë? Cfarë politikash po ndiqen dhe sa efektive kanë qenë ato?

Puna informale, apo siç njihet gjerësisht puna në të zezë, ka qenë një fenomen tepër shqetësues në vendin tonë. Mund t’ju them që në fund të vitit 2013, kur kam marrë detyrën e drejtimit të Inspektoriatit të Punës, ishte një realitet mjaft i dhimbshëm. Çdo ditë raportohej nga inspektorët për deri në dhjetëra punonjës të gjetur nëpër ndërmarrje të ndryshme, që punonin pa sigurime, punonjës që fshiheshin në vende të errëta, në rast të vizitës së inspektorit të punës. Duke parë këtë situatë kaq alarmante, e para gjë që duhet të bënim dhe që na dha rezultat ishte lufta për regjistrimin dhe sigurimin e punonjësve. Viti 2014 është mbyllur me një zbulueshmëri prej më shumë se 10 mijë punonjësish informalë dhe me rreth 100 mijë punonjës të rinj të regjistruar. Dhe kjo erdhi nga njëra anë nga zbulueshmëria fizike e punonjësve informalë, dhe nga ana tjetër vetëndërgjegjësimi i përfaqësuesve të biznesit për t’i vendosur punonjësit në skemën e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore. Përpjekjet tona, patën kulmimin e tyre, sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2015, gjatë operacionit të Qeverisë kundër informalitetit në tërësi. Gjatë kësaj periudhe, u arrit të regjistroheshin në skemë, më shumë se 120 mijë punonjës, duke i nxjerrë nga kthetrat e skllavërimit modern. Beteja për luftën kundër informalitetit, është një sfidë që vazhdon. Askush nuk mund të thotë sot, se ky fenomen u zhduk njëherë e mirë, por zbulueshmëria e punës në të zezë, do të vijojë të jetë kryeprioriteti i punës sonë edhe gjatë këtij viti, deri në regjistrimin dhe pagesën e sigurimeve edhe për qytetarin më të fundit në marrëdhënie pune. Unë vijoj të bëj apel për të gjithë qytetarët, që asnjë të mos pranojë të punojë pa qenë i siguruar. Sot ka qindra dhe mijëra vende të lira pune, që janë lajmëruar nga bizneset në zyrat e punës. Neve na del detyrë që të kujdesemi më shumë që t’i bëjmë këto vende pune tërheqëse dhe me kushte të pranueshme dhe jo të mjerueshme. Nga ana tjetër, sigurisht që aftësimi profesional, është kriteri që kërkohet për punëkërkuesit që të shkojnë të punojnë në punë të denja dhe jo në vende pune skllavëruese.

Çfarë mund të na thoni për të drejtat e tjera të punonjësve ?

Pas thënies “stop”, njëherë e mirë të punës në të zezë, ne tani do të fokusohemi më shumë te të drejtat e punonjësve, që garantohen nga legjislacioni i punës. Tashmë ne kemi shtuar inspektimet në drejtim të zbatimit korrekt të kontratës së punës, e cila rregullon marrëdhënien në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit. Kontrollet më të shumta kanë qenë në drejtim të respektimit të orarit zyrtar, pagesës për orët jashtë këtij orari, pagesën e një page më të denjë dhe moslejimin e pagës nën atë minimale etj. Ne po ndjekim me shumë seriozitet dhe korrektesë ligjore, çdo ankimim që vjen në drejtim të zyrave tona, pjesa më e madhe e të cilave ka të bëjë me shkeljen e kontratës së punës dhe nganjëheë për mosaplikimin fare të saj. Inspektorët e punës, herë pas here kanë si objekt kontrolli edhe turnet e dyta dhe të treta për të parë dhe verifikuar zbatueshmërinë e ligjit.

Duke qenë se Inspektoriati i Punës ka marrëdhënie të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e biznesit, si ka qenë ecuria?

Jemi përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe të ndërtojmë marrëdhënie dhe ura bashkëpunimi dhe komunikimi me përfaqësuesit e sipërmarrjes private. Ndiej një kënaqesi te veçantë, që së bashku me trupën inspektuese, kemi arritur të ndryshojmë në tërësi një mentalitet të gabuar që ekzistonte dhe që gjetëm në institucion, mentalitet që ndoshta akoma mund të jetë në mendjen e ndonjërit, ku gjoba dhe sanksioni është mjeti kryesor dhe ndoshta i vetmi, që mund të edukojë përfaqësuesit e biznesit për të qenë korrekt me ligjin. Madje, deri para dy vitesh, inspektor i mirë quhej ai që kishte vënë më shumë gjoba, duke harruar se inspektoriati i punës dhe inspektori i punës në terren, nuk ka gjobën mjetin e vetëm për arritjen e qëllimit, por gjoba është e fundit. Unë mendoj dhe veproj ndryshe dhe gjatë këtyre dy viteve kemi vepruar përmes një politikbërjeje, ku jo gjoba dhe sanksioni, por përkundrazi bashkëpunimi, ndërgjegjësimi, informimi dhe këshillimi, kanë qenë armët e forta që ka dhe duhet të ketë gjithnjë një inspektor i punës, për arritjen e misionit ligjor dhe qëllimit human për krijimin e një pune më të denjë dhe më të mirëqenë për qytetarët shqiptarë apo të huaj, që janë në marrëdhënie pune. Në asnjë moment, nuk kemi harruar se Inspektoriati i Punës, nuk është një organ tatimor, për vjelje taksash, por është një institucion me qëllim human, që në radhë të parë ka si mision, ndërgjegjësimin, këshillimin dhe informimin për arritjen e rezultateve.

Me këtë nuk dua të them, se ne kemi treguar tolerancë apo indiferencë ndaj çdo shkeljeje të ligjit, madje niveli i ndëshkimit të shkeljes është ashpërsuar dhe më shumë. Por qasja në tërësi ndaj përfaqësuesve të sipërmarrjes private, nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë, gjoba si qëllim në vetvete, por synimi do jetë ndergjegjesimi i biznesit për sigurimin e punonjësve dhe për krijimin e një mjedisi më të sigurtë dhe më të shëndetshëm të vendeve të punës. Vetëndërgjegjësimi i biznesit, për krijimin e kushteve të denja për punonjësit, në mënyrë që ata të kenë më shumë rendiment në punë dhe ndergjegjesimi i punonjësve për të mos pranuar të punojnë në kushte ç’njerëzore dhe skllavëri moderne, por përkundrazi të denoncojnë çdo shkelje të të drejtave të tyre të ligjshme, janë mënyra më e mirë dhe dobiprurëse dhe jo gjoba apo sanksioni. Ndaj, jam shumë krenar që në vijimësi, kemi marrë vlerësime pozitive nga përfaqësuesit e biznesit, siç ndodhi në mbledhjen e fundit të këshillit kombëtar të punës, ku u theksua se koha kur inspektoriati vinte gjoba klienteliste, ka marrë fund.