Kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës, z.Dritan Ylli zhvilloi një vizitë në Prishtinë, ku nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me kreun e Inspektoratit Shteteror të Punës së shtetit të Kosovës Z. Basri Ibrahimi.

Kjo marrëveshje është në kuadër të një projekti te Bashkimit Europian dhe Organizates Boterore te Punes, për bashkëpunimin rajonal të Inspektoriateve të Punës se vendeve te Ballkanit.

Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet krerëve të Inspektoratit Shtetëror të Punës së Shqipërisë dhe Kosovës, synon vendosjen e një bashkëpunimi të vazhdueshëm dhe sistematik dypalësh në drejtim te shkëmbimit të përvojave dhe të informacionit që ka si qëllim përmirësimin e kushteve të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë dhe luftën per reduktimin e informalitetit në të dy shtetet.

Gjithashtu bashkëpunimi dypalësh do të mbulojë edhe shkëmbimin e informacioneve të tilla si: Raportet vjetore, planet vjetore, informacionin për legjislacionin që rregullon marrëdhënien e punës, Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes Drejtori i pergjithshem i Inspektoriatit Shtetëror të Punës së Shqipërisë, z.Dritan Ylli u shpreh se “ka shumë vend për të bashkëpunuar mes Shqipërisë dhe Kosovës për rritjen e efektivitetit dhe të cilësisë së inspektimit, duke qenë se ka shumë kompani, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregun e punës së dy shteteve tona. Ndër te tjera Z.Ylli u shpreh se “duke qenë se Shqipëria dhe Kosova janë në proceset e sigurta të integrimit në BE, synimi i perbashket do te jete qe edhe kushtet e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë të përafrohen me standardet e kushteve të punës në Bashkimin Europian.

“Punonjësit shqiptarë, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, por dhe punonjësit e huaj që punojnë në tregun e punës së dy vendeve tona, duhet të ndjehen të sigurtë gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, sikurse në vendet e Bashkimit Europian”, u shpreh z.Ylli.

Nga ana e tij, Kreu i Inspektoriatit te Punes se Kosoves, z.Ibrahimi u shpreh se bashkepunimi ne mes te dy institucioneve te dy shteteve, do te jete i gjithanshem per realizimin e sfidave te perbashketa, duke shkembyer pervojat me te mira midis Shqiperise dhe Kosoves.

Gjatë vizitës në Prishtinë, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës së Shqipërisë u prit dhe nga Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale të Kosovës, z. Nenad Rashiç. Gjatë këtij takimi, Z.Ylli dhe Z.Rashiç biseduan mbi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet te dy shteteve, në kuadër të rritjes së standardeve të kushteve dhe të sigurisë në punë. Gjithashtu ata diskutuan dhe shkembyen mendime për ecurinë e proceseve integruese të Shqipërisë dhe Kosovës.